Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, i bëri thirrje ministrit të Pushtetit Lokal të Serbisë, Branko Ruzhiq “të përqendrohet në përmbushjen e detyrimeve të tij ligjore, dhe institucionale ndaj shqiptarëve që jetojnë në komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës”.
Në një deklaratë për media nga Këshilli thuhet se “Këshilli Kombëtar është gati për bashkëpunim institucional, por nuk do t’i nënshtrohet presionit dhe kërcënimeve”.
Ministri Ruzhiq kishte thënë se ishte “e papranueshme për përfaqësuesit e organeve, puna e të cilëve financohet me paratë e të gjithë qytetarëve serbë të veprojnë politikisht në kundërshtim me interesat e shtetit të tyre dhe komunitetit që ata përfaqësojnë”, shkruan REL.
Këshilli Kombëtar Shqiptar në anën tjetër deklaron se, ministria e Pushtetit Lokal “nuk e ka respektuar vendimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar për emërtimin e vendbanimeve dhe rrugëve në komunën e Medvegjës”, për të cilin ata thanë se ishte “në kundërshtim me Ligjin për Pakicat Kombëtare”.
Reagimi i ministrit Ruzhiq erdhi pas një kërkese të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Kosovës drejtuar autoriteteve të Kosovës që “të përjashtojnë shqiptarët nga komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës nga vendimi për të mos njohur pasaportat serbe”.
Në kërkesë, Këshilli gjithashtu deklaroi se “mirëpret vendimet e autoriteteve të Kosovës për forcimin e shtetësisë”.
Top Channel