Bashkia e Tiranës ka nisur zbatimin e projektit të transformimit të Bulevardit “Zogu I”, që pritet të marrë 18 muaj kohë.Projekti parashikon, zgjerim të trotuareve dhe eliminimin total të parkimit.
“Bulevardi me gjerësi 35 m linearë do të ndryshojë duke rritur gjerësinë e trotuarëve që sot janë 3 deri në 4 metra variabël, do të kenë gjerësi në të dyja anët 8.25 metër. Do të ketë dy korsi të automjeteve në të dy anët e tij, cilësia dhe lloji i materialit si për rrugën ashtu edhe për trotuarin do të jetë e njënjtë, do të jetë asphalt me gurë të bardhë”,deklaron Leonora Pacili.
Krijimi i shesheve është një tjetër pikë që parashikon të shtojë hapësirat në funksion të këmbësoreve.
“Në të dyja anët e bulevardit do të ndërtohen 4 sheshe të reja, sheshi i parë është sheshi “pocket” është konceptuar që të shtrohet me pllaka guri e mobiluar me gjelbërim.Kemi sheshin “village” do të shtrohet një shatërvan me ujë të pijshëm do të mbillet një pemë e madhe e cila të krijon impaktin e qendre fshati. Në rrugën Fortuzi është parashikuar të ndërtohet sheshi Fortuzi dhe sheshi i katërt që është sheshi i “Universitetit” i cili është parashikuar të shtrohet me tulla të kuqe”, thotë Leonora Pacili.
Por edhe pallatet që gjenden në dy anët e rrugës do të marrin një tjetër pamje, e cila do të jetë e ndryshme nga një pallat në tjetrin por e unifikuar për çdo njësi.
“Do të ndërhyhet në suvatime, do të ndërhyhet në çati, do të ndërhyhet në të gjitha sistemet e kullimit të ujërave të shiut. Të gjithë kondicionerët do të sistemohen në një vend, do ndërtohen në disa prej ndërtesave grila të reja, vetrata të reja, do të ketë hijezime të ndryshme të cilat do të shoqërohen me panele druri ose panele metalike”, thekson ajo.
Korsia e biçikletave në mes të bulevardit “Zogu i Parë” do të jetë e vetmja që nuk do të preket, por do të qëndrojë ashtu siç është.
Top Channel