Zyrtari i lartë i policisë çeke viziton pikën kufitare: FRONTEX, sukses në Shqipëri

09/08/2019 11:05

Zv/Presidenti i parë i Policisë Çeke, Gjeneral Brigade Mgr Martin Vondrasek ka mbërritur në Tiranë, ku u prit nga Zv/Drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj dhe nga Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin Eduart Merkaj.

Gjatë takimit u vlerësuan si mjaft të mira marrëdhëniet e bashkëpunimit mes dy Policive dhe u theksua fakti që këto marrëdhënie të forcohen më tej.

Vondrasek së bashku me Drejtor Merkajn, kanë zhvilluar një inspektim në Kapshticë e Kakavijë, për të parë nga afër vijimin e operacionit FRONTEX, për parandalimin e flukseve migratore që vijnë nëpërmjet kufirit me shtetin grek, njëkohësisht edhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm që mund të zhvillohet nëpërmjet kufirit jeshil.

Mgr Vondrasek ka takuar përfaqësues të Policisë Çeke, të cilët janë pjesë e operacionit dhe është interesuar për bashkëpunimin mes strukturave si dhe rezultatet e arritura deri tani. Në Kakavijë, z.Vondrasek tha për median:

“Marrëdhëniet mes dy Policive janë të shkëlqyera dhe ato do të forcohen më tej në të gjitha fushat. Unë si Zv/President i Policisë Çeke dhe si pjesëtar i Bordit të FRONTEX, më kënaqësi e theksoj se bashkëpunimi është i mrekullueshëm dhe kështu do ta përmirësojmë e forcojmë edhe më tej . Policia e Shtetit është një partnere e denjë e Policisë Çeke dhe ne do ta mbështesim me logjistikë, trajnime e operacione të përbashkëta, për të luftuar krimin e organizuar dhe terrorizmin. Së bashku me Merkajn ishim në Kapshticë e Kakavijë, ku inspektuam nga afër vijimin e operacionit FRONTEX, në të cilin Policia Çeke është e përfshirë. Policia Çeke në këtë operacion përfaqësohet nga 13 punonjës policie të saj dhe për këtë jemi krenar pas ky është operacioni i parë që operon jashtë vendeve të BE-së. Me kënaqësi e them se përtej shifrave, ky operacion ka për qëllim forcimin e marrëdhënieve mes dy policive, shkëmbimin e përvojave, miqësimin e strukturave bazë të policive dhe përcjelljen e mesazhit se Policia e Shtetit Shqiptar nuk është e vetme, por është pjesë integrale e Policive homologe, e barabartë dhe e aftë për të zhvilluar operacione të përbashkëta të çdo niveli e fushe.”

Ndërkohë Merkaj deklaroi:
“Operacioni FRONTEX vijon. Që prej datës 22 maj që ka nisur e deri sot, janë mbi 1300 emigrantë të vendeve të treta që kanë tentuar të hyjnë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri nëpërmjet kufirit me shtetin grek, një pjesë e tyre janë përsëritës. Pas përfundimit të procedurave të para, një pjesë janë kthyer vullnetarisht në vendin nga kanë ardhur, një pjesë janë duke plotësuar dokumentacionin, ka dhe nga ata që kanë kërkuar azil në Shqipëri.

Operacioni FRONTEX në vijim të dy operacioneve ‘ ” Drino 1’ e ‘Drino 2″ të zhvilluara vitet e kaluara në Gjirokastër, ka rëndësi të madhe për Policinë e Shtetit dhe veçanërisht për Policinë Kufitare.

Policia Kufitare është e angazhuar maksimalisht edhe në përballimin e fluksit të madhe në hyrje, gjatë këtij sezoni turistik veror.

Meqenëse jemi në Kakavijë, për periudhën 01.06.2019 deri më datë 05.08.2019, nëpërmjet Pikës së Kalimit të Kufirit Kakavijë, kanë hyrë dhe dalë në total rreth 450 mijë shtetas dhe rreth 30 mijë mjete. Vlen të theksohet fakti se vetëm nëpërmjet kësaj pike për këtë sezon, kanë hyrë mbi 150 mijë shtetas të huaj.Krahasuar me një vit më parë kemi rreth 60 mijë shtetas shqiptarë e të huaj më shumë në hyrje, se vitin e kaluar.

Gjatë periudhës janar -gusht 2019, në zbatim të masave shtesë për parandalimin e azilkërkimit dhe për mospërmbushjen e kushteve për të udhëtuar në zonën “Schengen” dhe vendet e BE-së, nga ana e shtetasve shqiptarë, janë refuzuar dhe janë ndaluar në dalje rreth 1000 shtetas. Përfitoj nga rasti t’ju bëj edhe një herë thirrje që cilido që tenton të udhëtojë në vendet e BE-së me qëllim kërkimin e azilit, të mos e ndërmarrë këtë veprim, pasi shanset për të fituar azil janë zero.

Polica Kufitare e Kakavijës gjatë kësaj periudhe, ka kapur në total 27 persona në kërkim dhe janë goditur 30 raste të paligjshmërisë qoftë në drejtim të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike, falsifikim të dokumenteve, trafik të armëve dhe municioneve, kalim të paligjshëm të kufirit, mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të rendit publik, kundërshtim i punonjësit të rendit publik dhe kanosje për shkak të detyrës.

Si rezultat i bashkëpunimit me FRONTEX, vlen të theksohet se është goditur 1 prej rasteve të trafikimit të mjeteve motorike, ku në kufirin e gjelbër është kapur dhe ndaluar një shtetas shqiptar duke trafikuar një mjet të vjedhur në shtetin grek.

Gjithashtu, dua të theksoj se kemi një bashkëpunim mjaft të mirë me Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, qoftë në parandalimin dhe goditjen e tentativës për trafikim të lëndëve narkotike, ashtu edhe në drejtim të goditjes së veprës penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, duke kontrabanduar emigrantë të paligjshëm nga Greqia në Shqipëri.

Departamenti i Policisë Kufitare ka marrë masa edhe për përballimin e fluksit në dalje pasi në përfundim të sezonit apo pushimeve, është e natyrshme një fluks i tillë, ne jemi gati, të përgatitur qoftë në infrastrukturë ashtu dhe me burime njerëzore.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA