SHBA, arrestohen rreth 700 emigrantë të paligjshëm

09/08/2019 02:44

Agjentët federalë arrestuan të mërkurën rreth 700 emigrantë pa dokumente gjatë një operacioni në fabrikat e përpunimit të ushqimit në Misisipi, që u vlerësua si më i madhi i zhvilluar në Shtetet e Bashkuara në 10 vjet.

Të dyshuarit u vendosën në qendra paraburgimi në gjashtë qytete të ndryshme të Misisipit. Operacioni u shoqërua me protesta nga të afërmit dhe miqtë e emigrantëve të arrestuar, që kërkonin lirimin e tyre.

Sipas dëshmitarëve disa nga emigrantët u përpoqën të largohen, por autoritetet arritën t’i kapin. Pjesa më e madhe e emigrantëve janë nga Amerika Latine.

Zyrtarët e agjencisë së Emigracionit dhe Doganave thanë se emigrantët u dërguan në një bazë ushtarake për t’iu nënshtruar një procesi verifikimi. Disave prej tyre iu vendosën vëzhgues elektronikë në kyçit e këmbës, në pritje të caktimit të një date për procesin gjyqësor.

Asnjë nga kompanitë e ushqimit ku u zhvillua operacioni e së mërkurës nuk kanë bërë deri tani asnjë koment.

Muajin e kaluar Presidenti Donald Trump njoftoi zhvillimin e një seri operacionesh në të gjithë vendin, duke paralajmëruar arrestimin e mijëra emigrantë të paligjshëm. /VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA