Gjatë aksionit të saj, policia e Fierit ka goditur dy raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, ku për njërin rast njëri autor është arrestuar e ndërsa po punohet përmes metodave speciale të hetimit për dokumentimin e rastit tjetër.
Mësohet se shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, gjatë kontrollit të territorit në fshatin Libofshë si dhe në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, kanë goditur një rast të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, ku pranë banesës së shtetasit E.M u gjetën dhe u sekuestruan disa kubikë ku ishin kultivuar fidanë dhe fara të dyshuara Kanabis Sativa.
Behet e ditur se në përfundim të veprimeve hetimore u bë ndalimi i autorit të dyshuar të kultivimit të tyre, shtetasi E.M, 43 vjeç, banues në Libofshë.
Gjithashtu, po në vijim të kontrollit të territorit, në fshatin Cakran, në një zonë të pyllëzuar u gjetën dhe u asgjësuan disa bimë Kanabis Sativa. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Top Channel