Kjo është një nga hapësirat e liruara nga shezlongët në Durrës. Në vetëm tre jave luftë kundër informalitetit, policia ka liruar rreth 27 mijë metrave katrorë hapësirë në plazhe. Të proceduar penalisht janë 46 pronarë subjektesh. Të martën në Qarkun e Durrësit dhe Vlorës, janë liruar 2 mijë metra katrorë plazhe, dhe janë proceduar penalisht 12 pronarë subjektesh, përkatësisht 6 në Vlorë dhe 6 në Durrës.
Këtu është aksioni i së martës në Durrës ku task forca mundësoi lirimin e disa hapësirave në plazhe të zëna në kundërshtim me ligjin.
Këtë operacion, policia e ka quajtur “Plazh i lirë”. Aksioni i shtrirë nga Velipoja dhe deri në Ksamil, po kryhet në bashkëpunim midis policisë së shtetit dhe atyre bashkiake. Në një sërë rastesh të konstatuara kur hapësirat ishin zënë në kundërshtim me ligjin, është bërë edhe sekuestrimi i shezlongëve.
Këto janë tabelat e vendosura pas lirimi të hapësirave, me qëllim identifikimin e plazheve publike, të cilat kanë filluar të shfytëzohen edhe nga pushuesit.
“Policia ka bërë shumë punë që ka liruar hapësirat pasi nuk kishim”, u shpreh një pushues.
Mbi 46 pronarët e subjekteve që po procedohen penalisht, rëndojnë tre akuza kryesore, ajo e fshehjes së të ardhurave, mospagimi i taksave si dhe zënia e hapësirave publike.
Burime për Top Channel bëjnë më dije, se po punohet mbi një plan në mënyrë që hapësirat publike të shfrytëzohen vetëm nga hotelet dhe bizneset që janë në vijën bregdetare me qëllim që të mos raste të mospagimit të taksave.
Pritet që kjo të miratohet në këshillat e bashkive bregdetare, ku çdo subjet që kërkon të shfrytëzojë hapësirat për të vendosur shezlongë, nga muaji janar i vitit të ardhshëm do të duhet të pajiset me leje të posaçme.
Top Channel