Mbrëmë në mesnatë është vendosur tritol në banesën e nënkryetarit të Bashkisë së Kamzës, Vendim Demaj. Është Partia Demokratike që reagon dhe akuzon policinë se ka fshehur ngjarjen, si dhe nuk po jep asnjë të dhënë për agresorët.
Fatmirësisht, në banesë nuk ndodhej asnjë person kur ka ndodhur shpërthimi.
PD thotë se “Bashkia e Kamzës prej kohësh është vënë nën sulmin verbal të kryeministrit Rama dhe disa strukturave të tjera të pushtetit. Por vendosja e tritolit në banesën e nënkryetarit të Bashkisë së Kamzës përbën një përshkallëzim të agresionit ndaj kundërshtarëve politikë të regjimit të Edi Ramës.”
“Fshehja e ngjarjes nga policia nuk i kontribuon as zbardhjes së saj e as kthimit të qetësisë në Kamzës. Ajo vetëm sa shton mosbesimin e qytetarëve ndaj forcave të policisë. Nëse do të vijohet edhe më tej duke fshehur ngjarjen, jo vetëm familja e Vendim Demajt, por të gjithë qytetarët e Kamzës do të identifikojnë tek Policia e Shtetit bashkëpërgjegjësin kryesor, që në aleancë me krimin e organizuar, po rrezikon përditë sigurinë e tyre”, deklaron PD.
Partia Demokratike e Shqipërisë thekson se do të mbajë përgjegjës Edi Ramën për çdo akt dhune dhe agresioni ndaj përfaqësuesve të saj politikë.
“Çdokënd tjetër me përgjegjësi ligjore që me veprimin apo mosveprimin e tyre mundëson akte të tilla dhe pengon ndëshkimin e autorëve, e paralajmërojmë se ne as nuk falim e as nuk harrojmë. Ora e drejtësisë do t’u trokasë shumë shpejt”, mbyllet reagimi.
Tritoli në banesë, Demaj: Në konflikt jam vetëm me Edi Ramën
Top Channel