Borusia Dortmund është skuadra fituese e Superkupës së Gjermanisë. Në Signal Iduna Park, skuadra e Lucien Favre mposhti Bayernin e Mynihut me rezultatin 2-0 duke e ngritur këtë trofe për herë të 6 në historinë e saj duke ndërprerë në të njëjtën kohë edhe dominimin e bavarezëve që e kanë fituar këtë trofe në 3 edicionet e fundit.
Ritmi i lojës ishte i lartë siç ndodh shpesh në futbollin gjerman. Pjesa e parë e sfidës u mbyll me barazimin 0-0 edhe pse rastet nga të dyja skuadrat nuk munguan. Ekuilibri në rezultat i kësaj ndeshjeje u thye në fillimin e pjesës së dytë kur Alcacer pas një pasimi të Sancho mposhti portierin Neuer për t’i dhënë avantazhin skuadrës së Borusias së Dortmundit.
Bayerni bëri tentativat e tij për të barazuar rezultatin dhe në momentin më të mirë të bavarezëve, erdhi edhe goditja e dytë e Dortmundit që në minutën e 69 i çoi shifrat në 2-0 pikërisht me Sanchon.
Ofensiva e Bayernit në minutat e mbetura nuk kishte forcën e duhur dhe 90 minutëshi i kësaj sfide u mbyll 2-0 për Dortmundin që ngriti trofeun e Superkupës gjermane për të fituar në të njëjtën kohë edhe titullin e parë për sezonin 2019/2020.
Top Channel