“Muzika dhe vena”, një gërshetim që vjen që kur njeriu filloi të dëshirojë afrimin me hyjnoren e të gjejë kënaqësinë dhe të kapërcejë trishtimin përmes tyre, janë kthyer në kryefjalën e bienales IX të netëve të muzikës klasike në qytetin e Durrësit.
Ky edicion u çel me natën e muzikës romantike në të cilën interpretuan të mirënjohurit Inva Mula, pianisti Genc Tukiçi dhe violinisti Florian Vlashi, organizator i bienales që vjen nga Spanja, së bashku me grupin e tij instrumental.
“Është një festival që e kam shumë për zemër pasi drejtohet nga një muzikant i shkëlqyer dhe shok i hershëm i Akademisë së Arteve, nga një artist i mrekullueshëm që i ka të gjitha mundësitë të vijë në Durrës për pushime, po vjen për të krijuar e vazhduar festivalin e tij. Unë bashkë me Genc Tukiçin megjithëse jemi në një tur të shumë festivaleve nëpër botë thamë duhet ta mbështesim e të jemi këtu për hapjen e festivalit dhe jam shumë e lumtur që Durrësi ka një festival kaq dinjitoz”, shprehet Inva Mula.
Këtë vit, bienalja e çeli siparin në ambjentet e krenarisë së hotelerisë shqiptare të para viteve ’90 e në vazhdim, buzë Adriatikut dhe është konceptuar si një ndërthurje e ofrimit të muzikës së mirë dhe shijimit të verërave.
“Është një ngjarje kulturore durrsake në radhë të parë e më pas në rang kombëtar. Muzika dhe vena vjen si për të sjellë të përbashkëtat që kanë këto dy krijesa të njeriut që nga kohët e lashta. Netët janë të ndara me të njëjtën strukturë si edicionet e mëparshme dhe artistët pjesëmarrës janë artistë shqiptarë, po me karrierë ndërkombëtare”, thotë drejtori artistik, Florian Vlashi.
Pas natës së muzikës romantike, edhe netët e tjera premtojnë muzikë cilësore të interpretuar nga instrumentistët më të mirë të kohës. Nuk do të mungojë as nata e yjeve të rinj. Bienalja do e ketë natën e fundit, më 7 gusht, në Amfiteatrin e Durrësit me interpretimin e “4 stinëve” të Vivaldit që shënon dhe 30 vjetorin e luajtjes së plotë të kësaj vepre në Durrës.
Top Channel