Një arbitre femër do të vendosë drejtësinë në ndeshjen që ngre siparin e futbollit Europian këtë sezon, superkupën e Europës mes Celsit dhe Liverpulit.

Stefani Frapart do të jetë gjyqtarja që do të zbresë në fushë për ndeshjen e shumëpritur mes dy skuadrave angleze që fituan trofetë e UEFA-s sezonin e kaluar, sfidë e cila do të luhet në 14 Gusht në Stamboll.

Arbitrja franceze që drejtoi muajin e kaluar finalen e Kupës së Botës për femra në futboll mes SHBA dhe Holandës, do të drejtojë një ekip cilësor në përballjen që vendos kupën pas pak ditësh. Manuela Nikolosi dhe Mishel O’Nil do të jenë asistente, ndërsa arbitër i katërt do të jetë mashkulli i vetëm, turku Xhunejt Çakërr.

Stefani Frapart e cila është arbitre që prej vitit 2009, ka shkëlqyer më parë në kampionatin francez të futbollit për meshkuj dhe femra para se të bëhej pjesë e UEFA-s dhe e FIFA-s.

Top Channel