Air Albania do të nisë në fillim të vjeshtës fluturimet drejt qyteteve italiane, ku është edhe tregu më i madh i kompanive ajrore që veprojnë në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama shfaqet entuziast për këtë zhvillim dhe thekson se me besim dhe durim mund të arrihen të gjitha ato që ka në dorë për të bërë “Shqipërinë që duam”.
“Nisin me Italinë në fillimvjeshtë, fluturimet e kompanisë kuqezi drejt qiejve të Europës. Hë tani jepini, filloni shani e përqeshni sa të doni, si zakonisht? Po të paktën, futeni mirë në kokë, se kur unë them KJO DO BËHET, është vetëm çështje kohe, pune, mundimi e durimi, por fjalën time s’e merr kurrë era. Dhe mos e harroni, se nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë; herë i ngushtë e herë i gjerë, herë i qetë e herë me trazime që të vonojnë; nganjëherë edhe me furtuna e tallaze që të ndryshojnë trajektoren, po jo qëllimin nëse nuk dorëzohesh. Prandaj BESIM dhe DURIM miq, se do t’i bëjmë, së bashku, të tëra ato që kemi në dorë t’i bëjmë për Shqipërinë që duam”, shkruan Rama.
Por kryeministri nuk është ndalur vetëm në lajmërimin e nisjes së fluturimeve. Ai ka publikuar në profilin e tij në ‘Facebook’ edhe çmimet e biletave në drejtim të Italisë me ‘Air Albania’.
Top Channel