Një film i ri i Martin Scorcese-s, që mban vulën e “Netflix”, e me një kast yjesh mes të cilëve Robert De Niro, Al Pacino dhe Joe Pesci, do të mbërrijë së shpejti.
Bëhet fjalë për “The Irishman”, irlandezin, një sagë epike mbi kriminalitetin e organizuar në Amerikën e pas luftës, që do të zbarkojë në platformën e “streamingut” në vjeshtë, pasi të kalojë më parë në festivalin e filmit në Nju Jork, më 27 shtator. Por, do të shpërndahet më pas edhe nëpër kinema.
Filmi është një kthim në origjinë për Martin Scorcesen, të lidhur pandashmërisht me Nju Jorkun e tij, mes “Little Italy” dhe “Brooklyn”.
Filmi ka mes protagonistëve edhe një aktor tjetër të preferuar të regjisorit italo-amerikan, Harvey Keitel, bashkë me Ana Paquin, Bobby Cannavale dhe Stephen Graham.
Historia tregohet përmes syve të një veterani të luftës së dytë botërore, që luhet nga De Niro, mashtrues dhe mercenar që ka punuar përkrah disa prej figurave më të rëndësishme të shekullit të 20.
Tregohet një prej mistereve më të mëdha, të pazgjidhura të historisë amerikane, zhdukja e sindikalistit legjendar Jimmy Hoffa, që luhet nga Al Pacino, duke e shoqëruar spektatorin në një udhëtim përmes sekreteve të krimit të organizuar mes meksikanëve, rivaliteteve dhe lëshimeve të politikës tradicionale.
Filmi vlerësohet se është më i kushtueshmi i sezonit të ri, me plot 140 milionë dollarë, duke kapërcyer buxhetin fillestar të “Netflixit” kjo pasi është dashur shumë punë në post produksion, për të rinuar në pamje si Robert De Niron ashtu edhe aktorët e tjerë.
Top Channel