Përpara se të niste pushimet e verës, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dha vendimin e fundit për këtë sezon, duke konfirmuar në detyrë Altin Dumanin, me detyrë prokuror dhe njëkohësisht pretendenti kryesor për të marre drejtimin e SPAK, Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion dhe Kundër Krimit të Organizuar.

Altin Dumani u listua i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në grupin e 15 prokurorëve që morën pikë maksimale dhe që u panë si më të mirët e atyre që do të jenë në SPAK.

Dumani u konsiderua i rregullt në të treja kriteret e vettingut, ndërkohë që nga kjo listë presin për t’u rivlerësuar edhe pesë prokurorë të tjerë.
Ndërkohë shkalla e dytë e vettingut ngeli në provim Gentian Osmanin, një magjistrat i njohur dhe që së fundmi ishte votuar nga trupa e prokurorëve si anëtar i qeverisë së tyre.

KPA deklaroi se Osmani i justifikon blerjen me këste të shtëpisë, ankesat ndaj tij nuk provohen dhe se pasuritë kanë burime të ligjshme.

Por pavarësisht këtyre gjetjeve pozitive, Osmani u rrëzua për shkak se siç u deklarua nuk justifikonte shpenzimet familjare përgjatë dy viteve.
Me një vend bosh të mbetur në KLP, tashmë prokurorja e përgjithshme e përkohshme, pritet të thërrasë Asamblenë e Përgjithshme, për të votuar një anëtar të ri.

Gjatë vettingut Këshilli i Lartë i Prokurorisë humbi edhe anëtaren tjetër Antoneta Sevdari, ndërkohë që presin apelin edhe dy anëtarë të tjerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA