Ende pa kaluar javë nga rikonfirmimi i dënimit të Skënderbeut për trukime në futboll, një tjetër skuadër shqiptare rikthehet në radarin e dyshimeve të UEFA-s për rezultatet e saj.
Kukësi-Kastrioti duhej të ishte thjesht një përballje normale e Kategorisë Superiore që u mbyll, por është kthyer në temën e ditës për shkak të dyshimeve se mund të jetë e manipuluar.
Por çfarë ndodhi ekzaktësisht më 30 Maj 2019 në stadiumin e Kamzës. Krutanët prevaluan në fraksionin e parë 0-1 me një gol nga Ymera. Përmbysja e madhe, e vlefshme apo jo mbetet ta gjykojë UEFA, ndodhi në 10 minuta finale. Kukësi shënoi plot 3 herë, një gol nga Shkurtaj dhe dy nga Rrexhinaldo.
Kaq mjaftoi që sistemi i Betradar ta raportojë për shkak të shumave të luajtura në baste, diçka të cilën Kukësi e hedh poshtë.
“Ekypi ynë e ka patur jetike këtë ndeshje, për të siguruar vendin e dytë në Kategorinë Superiore dhe për të qenë i sigurt në pjesëmarrjen e kupave të Europës.
Ndaj, impenjimi ka qenë maksimal nga skuadra dhe stafi. Ne sigurojmë UEFA-n, institucionet e futbollit në Shqipëri, opinionin sportiv dhe tifozërinë se jemi të hapur ndaj çdo hetimi dhe se FK Kukësi kurrë nuk është përfshirë në ngjarje të tilla që shëmtojnë futbollin dhe imazhin e Klubit”, thotë skuadra në një reagim.
Kjo nuk është hera e parë që nga tregu i basteve vijnë akuza për Kukësin pasi në një tjetër rast në Austri, në Korrik të 2017, skuadra u shoqërua në polici dhe iu morën telefonat nën dyshimin e manipulimit të rezultateve sportive.
Top Channel