Dy vëllezër të cilët konsiderohen me rrezikshmëri të lartë shoqërore janë arrestuar nga policia.
Ata u kapën në orët e para të mëngjesit në një banesë në fshatin Tartaj, duke festuar daljen e një shoku të tyre nga burgu.
Vëllezërit ishin të njohur për policinë pasi në vitin 2018 kanë plagosur me armë zjarri në oborrin e banesës së tij shtetasin E. Ç, 24 vjeç, për motive hakmarrjeje.
Njoftimi
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Tartaj”
Kapen dhe arrestohen 2 persona (vëllezër), me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimit ndaj personit dhe pronës.
Operacioni i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimeve në DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Dibër.
Në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve të tyre, Strukturat e Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Dibër, si rezultat i një pune të mirëorganizuar dhe informacioneve të grumbulluara në rrugë operative, në orët e para të mëngjesit të datës 30.07.2019, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Tartaj”
Si rezultat u kapën dhe u arrestuan shtetasit:
K. K, 36 vjeç,
A. K, 28 vjeç, banues në fshatin Tartaj, njësia administrative Zall Dardhë, Dibër (vëllezër)
Këta shtetas u kapën në orët e para të mëngjesit në një banesë në fshatin Tartaj, duke festuar daljen e një shoku të tyre nga burgu.
Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 06.04.2018, në bashkëpunim me njëri – tjetrin dhe me vëllanë tjetër, shtetasin Rr. K, (i arrestuar ditën e ngjarjes nga policia), në fshatin Nezhaj, Dibër, kanë plagosur me armë zjarri në oborrin e banesës së tij shtetasin E. Ç, 24 vjeç, për motive hakmarrjeje.
Kjo ngjarje është nën hetim nga Prokuroria për veprat penale “Vrasja me paramendim mbetur në tentative”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”.
Top Channel