Të gjithë të paraburgosurit e Institucionit të Ekzekutimeve të Vendimeve Penale (IEVP) Nr. 302, Mine Peza, Tiranë që prej ditës së sotme datë 30.07.2019, ora 12.00, kanë hyrë në greve urie pa afat.
Qëllimi i kësaj greve është respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të tyre si dhe plotësimi i disa kushteve të tjera që janë bërë publike në letrën drejtuar Presidentit te Republikës, Kryeministrit, Ministres së Drejtësisë, Prokurores të Përgjithshme dhe Përfaqësive të Huaja në Republikën e Shqipërisë.
Në letrën që disponon Top Channel të paraburgosurit parashtojnë 8 kërkesa:
1-Prandaj po kërkojmë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të na mundësohet ajrimi si në të gjitha IEVP-të e tjera në Shqipëri.
2-Në raste gëzimi familjare apo hidhërimi të na mundësojnë takim shtesë sepse kjo ka kaluar në kopetencë të Drejtorit të Përgjithshëm.
3-Të na mundësojne aktivitete kulturoro-sportive
4-Të na përmirësohet cilësia e ushqimit me parametra si të BE-se
5-Të na lejohet bombul gazi si në të gjitha IEVP, në të gjithë Shqipërinë
6-Të përshtaten dhomat e takimit me familjarët si në sisteme të përparuara të mos krijojë stres te familjarët
7-Të eleminohet dhuna psikologjike e fizike nga forcat e DAPIT duke respektuar konventën e të drejtave të njeriut dhe rekomandimet e Kopenhagës.
8-Të respektohet nga ne rregullorja e brendshme e burgjeve për sendet e ndaluara, por të mos spekulohet nga drejtuesit e ministrisë dhe drejtorisë së përgjithshme duke veçuar sendet e ndaluara
Të paraburgosurit e IEVP Nr. 302, Mine Peza, shfaqin shqetësim edhe për vendimet e Gjykatave dhe pretendojnë se vazhdojnë dënimet vetëm nëpërmjet përgjimeve dhe pa fakte.
“Dëgjojmë me vëmendje çdo ditë të artikulohet reforma në drejtësi dhe zbatimi i saj dhe nuk po kuptojmë se si do të zbatohet kjo reform në kushtet aktuale?? Ku njëri i bie gozhadës dhe tjetri patkoit. Thuhet se do të përmirësohet profesionalizmi në hetim dhe në gjykim. Kur sot në vitin 2019 Gjykata merr vendime në baze të bindjes juridike dhe me indicje përgjimesh pa kurrëfarë fakti. Nuk e kuptojmë përse me 2 standarde, Kryeministri dhe Ministrja e Drejtësisë artikulojnë se nuk mund të dënosh me përgjime dhe pa fakte kurse ne na gjykojnë pa fakte dhe me përgjime të turpshme, si dhe duke qenë të paaftë profesionalisht kanë nxjerrë termin “Organizatë kriminale”. Thuhet në letrën publike drejtuar krerëve të institucioneve kryesore në vend.
Top Channel