Kampionati pritet të fillojë vetëm fundjavën e 24 dhe 25 gushtit, por sezoni i ri i Serisë A do të marrë udhë mbrëmjen e sotme, duke filluar nga ora 19:00, kur në ambientet e Federatës Italiane të Futbollit do të hidhet shorti për kalendarin e 2019-2020-ës.

Pati diskutime të shumta për një kalendar të çrregullt, të formatit të Premier Leagues, por në fund kjo nuk u pranua, teksa u bënë edhe modifikime të tjera, në ndryshim nga një vit më parë, të cilat pritet të pasqyrohen gjatë shortit të ri.

Më poshtë janë listuar edhe kriteret që duhen ndjekur gjatë hedhjes së shortit, si dhe detaje të tjera mbi datat dhe oraret e ndeshjeve:

Datat: Sezoni i ri do të startojë fundjavën e 24-25 gushtit dhe do të ulë siparin më 24 maj, ndërsa janë parashikuar edhe 3 turne për t’u luajtur në mesjavë, konkretisht më 25 shtator, 30 tetor dhe 22 prill. Gjithashtu janë parashikuar edhe 5 pushime kryesisht për shkak të angazhimeve të Përfaqësueseve, konkretisht më 8 shtator, 13 tetor, 17 nëntor, 29 mars, si dhe pushimi i vitit të ri nga 29 dhjetori deri më 5 janar, ndërsa nuk do të ketë “boxing day” , si vitin e kaluar.

Oraret: Ndryshe nga sezoni që sapo lamë pas, ndeshjet e mbrëmjes nuk do të luhen më në orën 20:30, por do të rikthehen në orën 20:45. Janë planifikuar 3 orare ditën e shtunë, konkretisht 15:00, 18:00 dhe 20:45, ndërsa të dielën 4 orare, konkretisht 12:30, 15:00, 18:00, 20:45. Ndeshjet e të premtes në mbrëmje dhe të të hënës në mbrëmje do të përcaktohen javë pas jave nga vetë Liga.

Kritere të tjera:

  1. Në javën e parë dhe në ndeshjet e mesjavës, nuk do të lejohen përballje me njëra-tjetrën mes skuadrave Juventus, Inter, Milan, Napoli e Roma, si dhe derbit e Torinos, Romës dhe Genoas.
  2. Përballjet mes Interit, Juventusit, Milanit, Napolit dhe Romës me njëra-tjetrën, duhet të jenë gjithmonë në javë të ndryshme.
  3. Në javën e parë nuk mund të përballen me njëra-tjetrën, dy skuadra që janë përballur edhe në javën e parë të sezoneve 2017-2018 dhe 2018-2019.
  4. Edhe në javën e fundit nuk mund të përballen mes tyre skuadra që janë përballur në javën e fundit të dy sezoneve paraardhëse.
  5. Skuadrat që luajnë në të njëjtin stadium do të koordinohen që të mos jenë të dyja pritëse apo udhëtuese në të njëjtën javë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA