Serenatat, këngët që e kthyen Korçën në qytetin e ëmbël të dashurisë kanë mbyllur natën e 5-të të Mik Festival. Në pazarin e vjetër të Korçës grupet karakteristike të serenatave, por edhe këngëtare të rinj sollën repertorin e pasur të këngëve karakteristike korçare.

Për disa orë mbrëmja e mbushur me këngët himn dashurie u shoqërua me emocione të veçanta jo vetëm për publikun korçar, por edhe për qindra turistë e vizitorë.

Muzikologu Pandi Bello e sheh si një event të rëndësishëm “Mik Festival”, i cili për 5 mbrëmje solli artistë nga vende të ndryshme dhe një larmi koncertesh muzikore.

Këngëtare e vjetër dhe të rinj të rritur me serenatat që i kanë trashëguar brez pas brezi tregojnë emocionet e kësaj mbrëmje.

Organizatorja Inva Mula e ka cilësuar këtë edicion të dytë më të kompletuar duke theksuar se është një aktivitet që i shkon për shtat Korçës.

Festivali i Muzikës Internacionale në Korçë u çel me interpretimin e familjes Papadhimitri me koncertin në nderim të motrave Zengo. Dy net të tjera iu kushtuan muzikës spanjolle dhe flamengos të saj të famshme si dhe muzikës vjeneze për t’u mbyllur me mbrëmjen e serenatës.

Top Channel