Një mjeke ruse mendon se kreu i opozitës në vend, Alexei Navalny, i cili një ditë më parë u dërgua me urgjencë në spital, nga burgu, për shkak të një reaksioni të fortë alergjik, në fakt, mund të jetë helmuar.
Anastasiya Vasilyeva tha se simptomat e Navalnit tregojnë se ai mund të jetë shënjestruar me një agjent toksik.
Pas trajtimit të marrë në spital, 43 vjeçari është rikthyer në qeli, ku sipas Vasilyevas, substanca helmuese ndoshta është ende e pranishme.
Këtë hamendësim e mbështet dhe avokatja e Navalnit, Olga Mikhailova, që shprehet se çdo gjë flet për një helmim.
Mjekja që del në këtë përfundim u ankua se nuk e kanë lejuar ta ekzaminojë shefin e opozitës, dhe kur ajo është afruar, stafi i spitalit, siç thotë, ka nisur të sillet në mënyrë të çuditshme.
Drejtoresha e spitalit ku ai u dërgua, Olga Sharapova, raportohet të jetë ligjvënëse e partisë së Putinit, Rusia e Bashkuar.
Aktivisti më i zëshëm opozitar në Rusi u burgos për 30 ditë javën e kaluar, pasi organizoi protestat e paautorizuara, të mbajtura të shtunën. Afro 1,400 njerëz u ndaluan gjatë tubimeve përmes të cilave u ngrit zëri kundër përjashtimit të kandidatëve të opozitës nga zgjedhjet lokale.
Top Channel