Serish Spanja, kampione Evrope edhe në ‘Under 19’

28/07/2019 13:11

Futbolli Spanjoll dominon atë evropian përsa u përket kategorive të të rinjve. Pasi fitoi titullin e pestë kontinental për U21, skuadra iberike triumfoi edhe në kampionatin Evropian të 19 vjecarëve, një titull që kjo skuadër e fiton për të 8 herë në histori përsa i përket U19.

Në finalen e Evropianit Spanja u përball me Portugalinë në derbin iberik të kontinentit duke i rrëmbyer edhe fronin e kampiones pasi e mundi këtë skuadër me rezultatin 2-0. Protagonisti absolut i kësaj finaleje të 19 vjeçarëve u bë sulmuesi i Valencias, Ferran Torres i cili e drejtoi me shumë autoritet repartin e avancuar të ‘La Rojitas’.

Ishte pikërisht talenti valencian autori i të dy golave për Spanjën për të arritur te ky triumf. Në minutën e 34 Torres shfrytëzoi një krosim nga krahu i majtë për të shënuar golin e parë për Spanjën.

Në pjesën e dytë Torres shënoi edhe golin e dytë pas një pasimi të marrë nga Miranda, edhe në këtë rast pasimi erdhi nga krahu i majtë. Pas këtij goli për 19 vjecarët spanjollë administrimi i rezultatit u bë shumë i lehtë dhe në fund të 90 minutëshit ata filluan festën e titullit të 8 evropian, titull që për herë të fundit e kishin fituar në 2015

Top Channel