Maks Verstapen fitoi Çmimin e Madh të Gjermanisë në kampionatin e Formula 1, në fundin e një gare të çmendur dhe të paparashikueshme në pistën e Hokenhajmit.

Reshjet e shiut i përzjenë letrat dhe të gjitha strategjitë e skuadrave pretendente duke i detyruar të improvizojnë, por në fund holandezi preu finishin i pari ndërsa në podium u ngjit edhe gjermani Sebastian Vetel, autor i një përmbysjeje të pabesueshme nga vendi i fundit në të dytin.

Nuk mungoi thuajse asgjë në pasditen gjermane të Formula 1 me shiun në disa momente, kaosin në bokse, aksidentet, penalizimet dhe hyrjen plot 4 herë të makinës së sigurisë. Ferrari gëzoi për Vetel por nuk pati të njëjtin fat Lëklerk që humbi kontrollin dhe vuajti një aksident që e nxorri jashtë loje.

Një e dielë makthi për Mercedes, që gjithsesi ruan pozitat e forta në renditje. Hemilton që u nis nga Pole Position, u tradhtua nga asfalti dhe u përplas pikërisht kur po kryesonte. Fati i keq e ndoqi britanikun që humbi sërish kontrollin dhe përfundoi jashtë zonës së pikëve. Por Hemilton vazhdon të kryesojë botërorin me 39 pikë ndaj finlanfezit Botas, dhe 61 mbi Verstapen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA