Në vitin 1989, 120 stundentë të Fakultetit të Mjeksisë mbyllën studimet universitare. Studentët e ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë në këtë vit do të përqafonin njëri-tjetrin për herë të fundit. Ndërsa sot pas 30 vitesh e vetmja gjë nuk ka ndryshuar tek ta është buzëqeshja.

Ish-studentët u ulën përsëri në auditor, menjëherë filloi dhe apeli, kësaj herë në pak sekonda tregonin se ç’kish ndodhur me jetën e tyre pas  tre dekadash.

“Unë vij nga Maleburni i Australisë. Shumë nga ne kishin harruar emrat e njëri-tjetrit, kemi ndryshuar pasi 30 vjet është shumë kohë. Kemi mbetur të njejtët në shpirt”, thotë Miranda Shehu, ish-studente.

“Ata që ishin të rrethit të ngushtë i njoha, ndërsa të tjerët me zor, pastaj kur mendon thjesht kemi 20 kilogram më shumë”, thotë Evelina Skënderi.

“Emocion shumë i madh, duar të djersitura. Mendova të merrja disa foto, por shoh që sot pas 30 vitesh edhe pse me thinja jemi më të bukur”, thotë Nirvana Miti.

Sot ish-studentët e Fakultetit të Mjeksisë dhanë një tjetër provim atë të njohjes. Dikush gjeti shokun e humbur, ndërsa dikush dashurinë e rinisë.

Pas 30 vitesh sërisht në këto shkallë. Si ndihesh?

Kosta Dhima, ish-student: “Dikur përpara 30 vitesh në këto shkallë as që mendohej të luaje në kitar, sepse vemendja ishte të preknim ëndrrën, të bëheshim mjek. Kitara dhe mjekësia nuk shkonin shumë bashkë në ato kohë. Prapësirat janë ato të moshës që nga dashuriçkat e deri tek kopjet. Dashuria sot është ndryshe si shoqe, e kujtoj me mall.”

Në këto 30 vjet jetët e tyre kanë marrë rrugë të ndryshme, por një gjë është e sigurtë ata janë të gjithë mjek brenda dhe jashtë Shqipërisë. Mes mallit, nostaligjisë dhe buzeqëshjes ata rikujtuan rininë.

Top Channel