Pas rreth 1 muaji nga 30 qershori, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur këtë të shtunë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve lokale. Kreu i KQZ, Klement Zguri votoi kundër, ndërsa 4 anëtarët e tjerë të komisionit votuan pro, duke shpallur në këtë mënyrë 61 kandidatët fitues të këtyre zgjedhjeve.

Ajo që ra në sy në mbledhjen e sotme ishte fakti se KQZ nuk dha shifra se sa vota kanë marrë kandidatët, apo partitë pasi diçka të tillë do ta bëjë në raportin final dhe për këtë duhet një mbledhje tjetër.

Tani pritet që të gjithë kandidatët e zgjedhur në 30 qershor, brenda datës 10 gusht, të marrin zyrtarisht mandatin e kryebashkiakut duke u betuar para këshillave bashkiak.

Para votimit, Zguri deklaroi se KQZ ka qenë ndërmjet ligjshmërisë dhe arbitraritetit, por për fat të keq zgjodhi të dytën. Me zërin që i dridhej, kreu i KQZ i  kërkoi kolegëve të tij t’i thërrasin arsyes.

“Zgjedhjet nuk janë vetëm një moment ligjor por edhe ngjarje politike. nuk mund t’i ndajmë nga njëra-tjetra. Kjo i’u jep një peshë më të madhe pasi brenda zgjedhjeve përfshihen interesa politike, ekonomike, sociale, kulturore etj. Është një formalitet pasi vendimi i sotëm është shoqëruara paraprakisht me një sërë aktesh të tjera që janë përfundimtare dhe të formës së prerë. Këto zgjedhje realisht janë shoqëruar nga një konflikt i madh politik, nuk kemi pse të druhemi për ta thënë këtë gjë. Unë besoj se mosmarrëveshjet do vazhdojnë edhe pasi ne të  miratojmë rezultatin e procesit zgjedhor. Madje besoj që konfliktit të shkojë edhe gjatë, por gjithsesi ky nuk është preokupimi im, ky nuk është problemi im. Problemi im është se përmes votës sonë, merr një rëndësi tjetër. Vota nuk kthehet thjesht formale. Konflikti nuk është preokupimi im, preokupimi im është se përmes votës sonë kemi dhënë edhe një notë për sjelljen e KQZ , për performacën e KQZ.  Unë besoj se KQZ-ja në këtë proces zgjedhor, ndërmjet transparencës dhe kamuflimit, ndërmjet standardit ligjor dhe dubëlstandardit,  ndërmjet ligjshmërisë dhe arbitraritetit, ndërmjet neutralitetit dhe anshmërisë së qartë politike dhe partiake për fat të keq në logjikën time KQZ ka zgjedhur të dytën. Vota për këtë proces sigurisht që ngelet votë edhe për punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Me keqardhje them, e kam të pamundur për shkak të një performance të dobët të KQZ por ndonjëherë dhe mungesës së dinjitetit në një sërë vendimmarrjesh të saj të mundem ti jap një notë kaluese, për mua është e pamundur. Unë do të votoj kundër edhe për arsyen e thjeshtë sepse unë dua që e gjithë kjo performancë të mos kthehet në standard pune në të ardhmen. Më duhet të them, unë nuk bija dakord me shumicën, me kolegët e mi. Shpresoj shumë që kolegët e mi t’i thërrasin vetëdijes ligjore dhe të reflektojnë”, deklaroi Zguri.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA