Pas 2 humbjeve ndaj Manchester United me rezultatin 1-0 dhe Juventusit me penallti, Interi i Contes regjistroi fitoren e parë në tokën aziatike pasi këtë herë i buzëqeshi fati në ruletën e penalltive duke mposhtur 6-5 PSG dhe duke fituar International Super Cup. Ishte një fitore e merituar për skuadrën zikaltër që diktoi ritmin gjatë gjithë ndeshjes dhe krijoi shumë raste por e kishte të vështirë të shkonte te goli, aq sa kampionët e Francës ndëshkuan Interin në fundin e pjesës së parë pas një përgjumjeje të mbrojtjes zikaltër.
Ishte mbrojtësi gjerman Thilo Kehrer që me një devijim të lehtë kaloi në epërsi PSG-në. Edhe në fillimin e pjesës së dytë zikaltrit ishin më lart por Areola ishte i pakalueshëm.
Paraqitje fantastike ajo e 17-vjeçarit të Interit Sebastiano Esposito që edhe pse nuk gjeti golin më levizjet e tij në sulm u evidentua si nga më të mirët në fushë.
Atëherë kur PSG po bëhej gati për të ngritur trofeun, Interi barazoi me Longon që i ardhur në fushë nga stoli realizoi golin e 1-1 në minutën e 93-të, gol që e çoi ndeshjen te penalltitë, aty ku PSG humbi 2 11-metërsha ndërkohë që për milanezët gaboi vetëm Candreva që tentoi të gjente golin me një Panenka të shëmtuar. Në fund në sfidën e zhvilluar në Macau festa ishte e gjitha për zikaltërit me Antonio Conten që fitoi trofeun e parë si interist.
Top Channel