Arrestohen dy inspektor të Tatim Taksave në Bashkinë e Shkodrës. Policia ka arrestuar dy shtetasit, Idlir Dibra dhe Gege Nika.
Ata dyshohet se kanë favorizuar biznese, duke mos paguar taksat në zonën e Velipojës.
Vetëm pak ditë më parë, policia arrestoi edhe dy inspektorë të zbatimit në Drejtorinë e të Ardhurave në Bashkinë Shkodër pasi favorizonin biznesin. Asokohe u arrestuan Bledar Plori 32 vjeç dhe Isa Mandija 63 vjeç me akuzën “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike“. Te dy u liruan nga gjykata me garanci pasurore.
Në njoftimin e saj, policia shprehet se arrestimet janë bërë në kuadër të operacionit policor të koduar “Akomoduesi 2″.
“Arrestohen dy Inspektorë të Zbatimit në Drejtorinë e të Ardhurave në Bashkinë Shkodër për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorim detyre”, dhe “Falsifikim dokumentash”.
Procedohet në gjendje të lirë Drejtori i kësaj Drejtorie për veprën penale “Shpërdorim detyre”, dhe pronari i një hoteli për “Fshehja e të ardhurave”.
Në zbatim të planit të masave për Sezonin Turistik 2019, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar, në D. V. P. Shkodër, në kuadër të operacionit policor “Akomoduesi 2” , janë ushtruar kontrolle në disa subjekte në Plazhin e Velipojës.
Si rezultat i këtyre kontrolleve janë evidentuar shkelje të bëra nga ana e punonjësve të bashkisë Shkodër dhe subjekteve në lidhje me deklarimin e të ardhurave.
Për këto shkelje u bë ndalimi i shtetasve:G. N. 52 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re Shkodër, ekonomist, inspektor dhe I. D.49 vjeç, banues në Shkodër, ekonomist, inspektor, për veprat penale të “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentesh”.
Si dhe u procedua në gjendje të lirë Drejtori i Drejtorisë së të Ardhurave në Bashkinë Shkodër shtetasin, B. Gj. 41 vjeç, për veprën penale të “Shpërdorim detyre”.
Këta shtetas në bashkëpunim me njeri-tjetrin, duke qenë në pozicionin e inspektorëve të zbatimit në Drejtorinë e të Ardhurave në Bashkinë Shkodër, ku me anë të falsifikimit të dokumenteve kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë favorizuar në këmbim të marrjes së ryshfetit në një subjekt (hotel) në Plazhin e Velipojës, duke mos deklaruar numrin real të dhomave të këtij hoteli, me qëllim mospagimin e taksës reale që përfiton Bashkia Shkodër.
Në vijim të veprimeve u procedua pronari i hotelit shtetasi K. L. 27 vjeç, banues në Velipojë Shkodër, për veprën penale “Fshehje e të Ardhurave. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shkodrës.
Top Channel