Reali i Madridit doli me kocka të thyera nga derbi me Atleticon, për International Champions Cup. Në sfidën e zhvilluar në New Jersey, Los Colchoneros nuk patën aspak mëshirë për ekipin e drejtuar nga Zinedine Zidane, duke e mundur me rezultatin 7-3, ku protagonisti absolut për nën kampionët e Spanjës, u bë Diego Costa.

Sulmuesi brazilian i natyralizuar si spanjoll u bë heroi për Atleticon, duke shënuar 4 gola, por ai shfaqi edhe anën agresive të tij teksa u përfshi në një grindje me Carvajal, në pjesën e dytë, duke u ndëshkuar kështu me karton të kuq.

Atletico u shfaq një ortek i vërtetë mbi Realin e Madrid, teksa pas 51 minutash e pa veten të kryesojë në 6-0 me 4 golat e Diego Costës, dhe të Joao Felix e Angel Correa.

Nacho shkurtoi në 6-1 rezultatin, ndërkohë që Vitolo shënoi golin e 7. Në minutat e fundit Benzema dhe Javi Hernandez fiksuan shifrat 7-3 për atletico Madrid, por lajmin më të keq Reali i Madridit e mori nga Jovic, që pësoi dëmtim në kavilje dhe sipas medias spanjolle situata për të nuk është aspak e mirë.

Ky dëmtim vjen pas atij të Asensios që dëmtoi ligamentet e gjurit të majtë duke humbur sezonin pa e nisur atë.

Top Channel