Zbardhet letra e Metës për OSBE: Ndërmjetësoni dialogun, përshkallëzimi i krizës rrezikon rajonin

26/07/2019 18:50

Është zbardhur letra e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, drejtuar kryetarit të OSBE-së, Miroslav Lajçak dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger. Meta i kërkon “zyrtarisht OSBE-së që të ndërmjetësojë një dialog politik gjithëpërfshirës në Shqipëri, me qëllim arritjen e një zgjidhje të gjithanshme, e cila të parandalojë përshkallëzimin e mëtejshëm e krizës aktuale politike, institucionale dhe sociale në vend.”

“OSBE-ja është institucioni i duhur për ta ndihmuar Shqipërinë në këto çaste kritike”, thotë Meta.

Presidenti flet për një krizë politike që po thellohet dita-ditës, me mazhorancën që, sipas tij, po kërkon të shtijë në dorë politikisht të gjitha institucionet dhe me opozitën që kërkon delegjitimitetin e tyre.

Sipas Metës, “përshkallëzimi i mëtejshëm i krizës ka gjasa të ndikojë negativisht në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor e më gjerë.”

“Për më tepër, çdo përshkallëzim i krizës do të kompromentonte rëndë kredencialet e Shqipërisë si kryesuese e radhës e OSBE-së dhe aftësinë e saj për të drejtuar këtë organizatë në mënyrë të efektshme vitin e ardhshëm”, shprehet ai.

Meta thekson se “zgjidhja e vetme e kësaj krize është mbajtja e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe gjithëpërfshirëse, gjithashtu të domosdoshme për kredencialet demokratike të Shqipërisë, të cilës i është besuar kryesimi i ardhshëm i Organizatës sonë.”

  Meta, letër OSBE-së për krizën, Spiropali: Tregoi që s’është më President!

Top Channel