Finalizohet operacioni policor “Credit Card Fraud”, në fushën e krimit kibernetik, ku janë arrestuar 2 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër. Në pranga kanë rënë shtetasit A. B., 37 vjeç, dhe C. M., 41 vjeç, banues në Rumani. Gjithashtu është proceduar penalisht shtetasi L. C., 38 vjeç, lindur dhe banues në Rumani.
Shtetasit e mësipërm dyshohet të jenë përfshirë në veprimtari kriminale të paligjshme. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, një bankë shqiptare e nivelit të dytë ka bërë kallëzim penal se në ATM-të e saj persona të paidentifikuar kanë përdorur 10 karta të klonuara kanadeze dhe të Britanisë së Madhe. Departamenti i kartave informon se procesori i tyre ka dhënë alert për disa veprime të dyshimta të kryera në ATM-të e kësaj banke.
Nisur nga kallëzimi i bërë, Sektori për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë regjistroi në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë procedimin penal që u ndoq me metoda speciale të hetimit për dy javë .
Si rezultat i veprimeve të kryera, këqyrjes së pamjeve filmike dhe sistemit të hyrje daljeve, u identifikuan dy persona dhe në bashkëpunim me Policinë Kufitare në Qafë Thanë u bllokuan dhe u shoqëruan së bashku me shoferin e mjetit, me të cilin ata qarkullonin.
Nga veprimet hetimore u arrestuan shtetasit A. B. dhe C.M., ndërsa shtetasi L.C., u procedua penalisht në gjendje të lirë.
Gjatë kontrollit të këtyre shtetasve, u gjendën dhe u sekuestruan si prova materiale:3 telefona të markave të ndryshme; 8 karta të ndryshme bankare; një sasi parash dhe pajisje për shkrues kartash magnetike dhe një laptop
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprën penale ““Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim.
Top Channel