Pas paraqitjeve mjaft të mira ndaj azerëve të Qarabag, në eliminatoret e Champions League, ndaj Partizanit ishin krijuar pritshmëri të mëdha për sfidën e sotme ndaj moldavëve të Sheriff Tiraspol, por “të kuqtë” zhgënjyen duke u mposhtur me rezultatin minimal 0-1.

Për takimin e “Selman Stërmasit”, trajneri Lerda kishte bërë disa ndryshime në krahasim me përballjen me azerët, pasi aktivizoi nga minuta e parë Solomon dhe Brojën, duke lënë në stol Jasir Asanin, ashtu si edhe Trashin.

Ndonëse “të kuqtë ishin favoritë në letër, moldavët “treguan dhëmbët” që në minutat e para, duke organizuar disa aksione sulmuese, ku shpesh protagonist ishte edhe sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, Liridon Latifi.

Fillimisht ishte Godrienko për Sheriffin, që me portën e boshatisur dhe vetëm dy metra larg vijës fatale, fali Alban Hoxhën, duke nxjerrë topin jashtë, ndërsa në minutën e 24-t, sulmuesi Tambe nuk gaboi dhe zhbllokoi sfidën.

Reagimi i “të kuqve” ishte i vakët, me aksione të çrregullta dhe me topin që shkonte shumë rrallë në zonën kundërshtare, pasi shpesh Broja e Melo tentonin goditjen nga distanca, por duke mos pasur saktësinë e duhur.

Edhe pjesa e dytë pati të njëjtën tablo, me Partizanin që u mundua të marrë frenat e lojës, por që moldavët mbyllën mirë hapësirat dhe zbritën disa herë në kundërsulme, duke i shkuar pranë edhe golit të dytë.

Me këtë rezultat, komplikohet kualifikimi i Partizanit për në turin tjetër, ndonëse gjithçka do të vendoset në sfidën e të enjtes së ardhshme në Moldavi, por për të besuar, “të kuqtë” duhet të ndryshojnë tërësisht qasjen në ndeshje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA