Haradinaj niset në Hagë/ “Luftëtarët e lirisë gjithmonë ishin të rreshtuar me të drejtën”

23/07/2019 12:05

Kryeministri, Ramush Haradinaj ka arritur në ora 12 në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, nga i cili pritej të udhëtonte për në Hagë, përmes linjës së Vjenës.

Edhe këtë herë ai i është shmangur mediave, duke hyrë me veturë deri brenda në aeroport.

Por, fluturimi që parashihej të realizohej në ora 12:30, është shtyrë për disa orë sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit, si pasojë e vonesave të kompanisë ajrore.

Ardhjen e tij përveç kabinetit qeveritar e pritën edhe deputetë nga partia.

Me vete, kryeministri ka vetëm një këshilltar ligjor, duke refuzuar të angazhoj avokatë derisa të kuptoj se për çka është i ftuar nga gjykata.

Derisa përmes një postimi ka thënë se po niset për në Hagë i palëkundur për vendimet jetësore.

Duke shtuar se Kosova ka ecur përpara në rrugëtimin euro-atlantik, ndërsa hapjen e tregut e bëjnë vetëm në këmbim të njohjes dhe pa ndryshim kufijsh.

Megjithëse këshilltari i tij, Erolld Belegu ka thënë është planifikuar që në Hagë të qëndrojë deri të enjten mbrëma, nuk e kanë përjashtuar mundësin se mund t’i kërkohet të qëndrojë më gjatë.Ndërsa vlerëson se është e vështir të besohet se kjo gjyqësi do të jetë e pavarur.

Gjatë së mërkurës do të intervistohet edhe ish- kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Derisa të thirrur nga Gjykata Speciale që nga dhjetori i vitit të kaluar janë afër 30 persona, të gjithë pjesëtar të UCK-së.

“Luftëtarët e lirisë gjithmonë ishin të rreshtuar me të drejtën! Sot, si Ramush Haradinaj, qytetar i Republikës së Kosovës, i përgjigjem ftesës për intervistim nga Dhomat e Posaçme në Hagë. Tërësisht në të drejtën e Kosovës, i palëkundur për vendimet e mia jetësore dhe i patrazuar e ballëlartë. Kosova ka ecur përpara në rrugëtimin euro-atlantik dhe është më e fortë se kurrë, në rreshtin e paqes dhe miqësi të përhershme me SHBA-në. Kosova është e gatshme të dialogojë me Serbinë deri në arritjen e një marrëveshjeje finale ligjërisht obliguese, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues. Por, tregun e japim vetëm për njohje. Me nder kam mbrojtur të drejtën tonë, dje, sot dhe do ta mbrojë gjithmonë! RH”, shkruan Haradinaj përpara nisjes drej Hagës.

Top Channel