59 mijë shqiptarë me shtetësi të BE/ Të dhënat e Eurostat për 2017: Jemi të dytët pas marokenëve

23/07/2019 15:19

Ëndrra e shqiptarëve është Bashkimi Europian. Teksa politika, prej gati 30 vjetësh e mban vendin jashtë BE-së, shqiptarët po anëtarësohen vetë në familjen europiane.

Instituti Europian i Statistikave raportoi se në vitin 2017 rreth 59 mijë shqiptarë morën nënshtetësinë në një nga vendet e Bashkimit Europian. Sipas Eurostat, kjo i bën shqiptarët komunitetin e dytë më të madh që morën nënshtetësinë e një prej vendeve të BE-së gjatë vitit 2017. Të parët ishin Marokenët me rreth 68 mijë vetë.

Dyndja e shqiptarëve për të marr nënshtetësinë e BE-së është një tendencë që vazhdon prej disa vitesh. Sipas Eurostat në vetëm 5 vjet, pra për periudhën 2013-2017, janë rreth 260 mijë shqiptarë që kanë marrë nënshtetësinë nga një vend i Bashkimit Europian.

Kjo shifër është e barabartë me rreth 10% të gjithë popullsisë rezidente në Shqipëri ose e thënë ndryshe në çdo 5 vjet Shqipëria humbet popullsinë e një qarku.

Të dhënat e detajuara tregojnë se pjesa dërrmuese e shqiptarëve, rreth 92 për qind e atyre që marrin nënshtetësinë e BE-së po bëhen shtetas grekë ose italian. Gjatë vitit 2017, qeveria greke ka aprovuar nënshtetësinë për gati 30 mijë shqiptarë, ndërsa ajo italiane për 27 mijë të tjerë.

Derisa Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Europian, emigrimi mbetet rruga e vetme që shqiptarët të bëhen qytetarë të BE-së, një rrugë të cilën sipas shifrave të eurostat ata po e ndjekin masivisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA