Deri në fund të vitit tatimet do të kontrollojnë rreth 6200 biznese nga sektorët e evidentuar me risk të lartë. Drejtorja re përgjithshme e tatimeve, Delina Ibrahimaj tha se sektorët problematike janë katër.
“Në periudhën 01-21 Korrik , janë kontrolluar 1,064 subjekte, ndërsa në 367 prej tyre, janë konstatuar me shkelje. 106 biznese janë penalizuar për mos lëshim kuponi, ndërsa 62 subjekte nuk kanë qenë të rregjistruara në organet tatimore. Për çdo shkelje janë vendosur masat dhe gjobat përkatëse”, është shprehur Delina Ibrahimaj.
Në kuadër të zbatimit të Planit Operacional në luftë kundër Informalitetit, Ministrja e Financave, Anila Denaj inspektoi disa pika të tregtimit me pakicë të karburanteve në aksin rrugor Fier–Tiranë. Nga verifikimi u konstatua rasti i një pike karburanti që operonte në regjim manual dhe që u penalizua sipas rregullave ligjore në fuqi.
“Janë rreth 420 subjekte të evidentuara me risk në fushën e karburanteve dhe të produkteve të akcizës, të cilat do të monitorohen dhe verifikohen nga të gjitha strukturat përkatëse. Por përveç këtij plani operacional, tatimet do të vazhdojë me kontrollet rutinë sipas grafikut”, ka shtuar Ibrahimaj.
Top Channel