Bashkia e Tiranës ka përfunduar investimet për ndërtimin e rrugës që lidh Yzberishtin me Kasharin, të cilat janë kryer njëkohësisht me ndërtimin e bulevardit të ri.
Veliaj tha se zona ka një aktivitet të shtuar industrial, duke qenë se rruga është paralel me autostradën Tiranë-Vorë. Kreu i bashkise tha se ‘jemi të vendosur që t’u përgjigjemi kërkesës së 90% të qytetarëve të zonës se Astirit që e duan zhvillimin, për të vijuar me projektin e Unaze se Re dhe për t’i dhënë Tiranës një aks të domosdoshëm për qarkullimin e automjeteve dhe të qytetarëve.
“Duam që edhe në 4 vitet që vijnë të ecim me këto ritme. Thirrja ime për të gjithë banorët e Astirit është që ne nuk do t’ju zhgënjejmë; e dimë që ka një shumicë të heshtur, që është mbi 90% e banorëve, që nuk ka arsye të vuajnë pengimin nga një pakicë e zhurmshme partiake dhe politike, e keqpërdorur, të cilëve ju garantoj gjithashtu se do t’ju shërbejmë njësoj. Me të njëjtën frymë do të vazhdojmë mandatin e dytë dhe ju garantoj se ata që sot protestojnë, do të jenë përfituesit më të mëdhenj dhe do të përfundojnë si ata që protestonin te Parku i Liqenit, që tani vijnë me kasketë për të çuar te lodrat kalamajtë e tyre. Mos e pengoni zhvillimin e Tiranës! E kemi treguar se ky qytet nuk ndalet. Edhe në mandatin e dytë jo vetëm nuk do ta ndaleim punën, por do ecim me të pestin, duke filluar që nga ditët e nxehta të verës, teksa përgatitemi për fillimin e vitit të ri shkollor dhe rutinën e punës në këto 4 vite”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku tha se investimet e kryera në zonën e Kasharit janë prova më e mirë se edhe realizimi i projektit të zgjerimit të Unazës te Astiri do të jetë po aq dinjitoz dhe që do sjellë civilizim e urbanizim të të gjithë zonës. Ai vlerësoi bashkëpunimin e banorëve gjatë zbatimit të projektit që me mirëkuptim lëshuan pjesë të pronës së tyre për ndërtimin e rrugës dhe të trotuareve.
Top Channel