Trajneri Mauricio Sarri debutoi me humbje në pankinën e Juventus në përballjen e zhvilluar ndaj Totenhemit në International Champions Cup.
Kampionët e Italisë ofruan një 90 minutësh emocionues me rivalët londinezë në ndeshjen e zhvilluar në Singapor, por iu dorëzuan kryeveprës së Heri Kejn në kohën shtesë.
Në një nga ato ndeshje që shiheshin si antipastë e Ligës së Kampioneve, bardhezinjtë regjistruan debutimin e De Ligt, të Rabiot dhe trajnerit Sarri, por spikati dhe rikthimi mes shtyllave të Juventus, edhe portieri Xhanluixhi Bufon. Ky i fundit u shpëtua nga shtylla që në minutën e 5 por nuk mundi të bëjë asgjë në rrjetën e Lamelës që zhbllokoi sfidën.
Juve gjeti barazimin në pjesën e dytë me Gonzalo Higuain në një ekzekutim të saktë, gol që argjentinasi e firmosi kur kishte shiritin e kapitenit. Kristiano Ronaldo përmbysi gjithçka në favor të italianëve por shumë shpejt, ndeshja ndryshoi. Moura barazoi shifrat në 2-2 dhe kur penalltitë ishin ato që prisnin tifozët në Singapor, erdhi dhe perla nga mesfusha e Heri Kejn, që befasoi portierin Shezni.
Top Channel