Këndi i ri i lojërave/ Kontribut i Digitalb me rastin e 15 vjetorit të krijimit të platformës

21/07/2019 13:22

Në Njësinë 9 është hapur këndi më i ri i lojëra për fëmijë, një hapësirë rekreative për komunitetin, me module e lodra për fëmijë, si dhe hapësira çlodhje për më të rriturit.

“Është një ditë fantastike sa herë që pastrohet një copë e Tiranës, sa herë që pastrohet një kënd, sa herë ikin ferrat, mbeturinat dhe sa herë që largohen makinat për t’i hapur rrugë një këndi fëmijësh. Jam shumë i lumtur që në Njësinë 9, këndi më i ri, këndi i 50-të i lodrave në Tiranë, në rreth 50 muaj punë që kemi në Bashkinë e Tiranës, u bë realitet falë ndihmës fantastike që na kanë dhënë kolegët e miqtë e DigitAlb”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, pas përurimit të këndit.

Ai tha se ajo në të cilën duhet të fokusohemi është si do duket Tirana në 50 vitet e ardhshme. “Me aplikacionin FaceApp mund të shohim se si do dukemi pas 50 vitesh, por nëse duam të dimë si do duket Tirana pas 50 vitesh, do të duhet të ndërtojmë kënde lodrash, ku fëmijët mësojnë si të luajnë në komunitet, si humbasin, si fitojnë, të mësojnë si rrëzohen, por të mësojnë edhe si të ngrihen përsëri në këmbë. Ndaj, mendoj se FaceApp i qytetit janë këndet e lodrave. Aty kuptojmë si do duket qyteti pas 50 vitesh, nëse do jemi më solidarë, më të civilizuar, më të pastër, nëse do dimë të luajmë në skuadër, nëse do kemi një ndjesi komunitare. Për Tiranën e 50 viteve që vijnë, besoj se kemi bërë investimin e duhur”, tha Veliaj.

Pas suksesit të katër viteve të para, ku shumë kompani iu bashkuan Bashkisë së Tiranës në shumë nisma të suksesshme si këndet e lojërave, Veliaj ftoi kompanitë e ndryshme që të ndjekin të njëjtin model.

“Gjithmonë e më shumë kompani shqiptare, në vend që t’i shpenzojnë duke bërë një festë të stafit, një ekskursion, një drekë apo darkë, kanë vendosur t’i investojnë për diçka që do të mbetet në komunitet, një herë duke mbjellë pemë, sot duke ndërtuar një kënd lojërash, nesër duke bashkëpunuar tek Piramida apo diku tjetër. Është mënyra më e mirë se si ato financa që janë lënë mënjanë për marketingun, mund të bëjnë një marketing që zgjat më shumë se sa një spot apo më shumë se sa një festë sepse zgjat në kujtesën e të gjithë këtyre fëmijëve që, teksa rriten, do kuptojnë se mësimet e para i morën në këtë kënd lodrash”, u shpreh Veliaj.

Edhe pse zonë e vjetër e qytetit, në këtë zonë ka pasur mungesë të hapësirave çlodhëse për grupmoshat e ndryshme. Por, falë këtij investimi të Bashkisë së Tiranës, tashmë banorët kanë jo vetëm më shumë gjelbërim e kënd lojërash për më të vegjlit, por edhe stola, ndriçim LED e infrastrukturë ndihmëse.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA