“Kryeministri Ramush Haradinaj po paguan çmimin që u pozicionua fuqishëm kundër skenarit të ndarjes së Kosovës. Ai ishte barriera më e fuqishme kundër ketij skenari.” Kështu e lexon ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, ftesën që i është bërë së fundmi Ramush Haradinajt nga Gjykata Speciale.
I shpallur i pafajshëm më parë nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë për krime të pretenduara gjatë luftës së Kosovës, Haradinaj është thirrur sërish nga Gjykata Speciale, ndërkohë që një zhvillim i tillë nuk ishte parashikuar më parë.
Nxjerrjen e Haradinajt përpara Gjykatës që po shqyrton raportin e Dick Marty, po e kundërshtojnë edhe përfaqësuesit e partive opozitare në Kosovë.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë për KTV-në se nuk pritej që Haradinaj të thirrej nga Gjykata Speciale. “Nuk është pritur që ata që janë ballafaquar njëherë me drejtësinë që të jenë të ftuar”, ka thënë Haziri.
Ndërsa deputeti i Nismës, Zafir Berisha, ka thënë se ftesa nga Gjykata Speciale për kryeministrin Ramush Haradinaj është tallje me shtetin e Kosovës.
Edhe ambasadorja kosovare në Uashington, Vlora Çitaku thotë se “kjo nuk është drejtësi”.
Ramush Haradinaj njoftoi sot se ka dhënë dorëheqjen si kryeministër, për t’u përballur si qytetar i thjeshtë me drejtësinë, ndërsa kërkoi që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Top Channel