5 vjet më parë në Gjoricë të Bulqizës nisen punimet për ndërtimin e ujësjellësit, i cili do të furnizonte me ujë 5 fshatra të Njësisë Administrative Gjoricë dhe tre fshatra të Ostrenit. Por edhe sot e kësaj dite ky ujësjellës ende nuk ka mbaruar.

Asokohe deputeti i zonës Shkëlqim Cani premtoi se ky projekt do të mbyllej brenda tre vitesh, madje këtë pohojnë edhe vetë banorët ” na u premtua, erdhi deputeti por asgjë nuk është bërë.

Ende tubacionet edhe pas kaq vitesh nuk janë shtruar”. Ndërkohë dhjetëra banorë të Njësisë Administrative Gjoricë në Bashkinë e Bulqizës për këtë arsye edhe protestuan disa kohë më parë, madje ata zgjodhën të protestojnë duke bllokuar rrugën nacionale Bulqizë – Peshkopi për mungesën e ujit të pijshëm prej shumë vitesh. Ata ende vazhdojnë të konsumojnë ujin e puseve i cili ka rezultuar tepër i ndotur.

Fiks Fare ju drejtua Njësisë Administrative Gjoricë, ku pyeti kryetarin e kësaj njësie i cili nuk e kishte idenë fare se çfarë ishte bërë me projektin e ujësjellësit të këtyre fshatrave, madje ai pohon se në njësi nuk ka asnjë kopje dokumenti të këtij projekti ” nuk kam dijeni për këtë projekt dhe në njësi nuk kemi asnjë dokument qoftë edhe fotokopje, pasi nuk kemi arkiv. Të gjitha dokumentet janë në Bashkinë Bulqizë”.

Por njëra nga punonjëset shprehet se ky projekt nuk u përfundua për mungesë fondesh.

Meqë në Njësinë Administrative Gjoricë nuk kishin dijeni dhe dokumente të projektit të ujësjellësit, Fiks Fare iu drejtua Bashkisë Bulqizë. Nga informacioni që gazetarët morën në zyrën e urbanistikës ky projekt nuk ndodhej as në bashki dhe çuditërisht kishte humbur.

Askush nuk dinte të jepte detaje se si kishte humbur projekti i filluar para 5 vitesh dhe për më tepër të dinin përfundimin e tij. Ata mësuan se projekti kapte shifrën 184 milionë lekë të reja, dhe ishte i projektuar në dy faza. Në fazën e dytë projekti është stopuar për mungesë fondesh. Ndërkohë banorët e Gjoricës dhe të 5 fshatrave të tjerë ende vuajnë për ujin e pijshëm sot e kësaj dite.

Top Channel