Policia e Tiranës ka finalizuar mëngjesin e kësaj të enjteje operacionin policor “Versace”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A. S., 37 vjeç, banues në Tiranë, i cili është pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe Xh.M., 35 vjeç, banues në Fushë Mëzez, Tiranë.
Operacioni u zhvillua në lagjen “Demokracia“ në qytetin e Mamurrasit, ku në momentin e kapjes, shtetasve A.S dhe Xh.M, u janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri tip Glock, së bashku me 4 karikatorë me 60 fishekë luftarak, si dhe 1 armë zjarri pistoletë TT model 54, së bashku me dy karikatorë me 15 fishekë.
Për shtetasin A. S., Gjykata e Tiranës, në vitin 2017 ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale ” Vrasja në rrethana të tjera të cilësuara” mbetur në tentativë në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”.
Po kështu shtetasit A.S., i kanë mbetur dhe 2 vite e 6 muaj për të vuajtur dënimin në bazë të vendit të gjykatës së Apelit dhënë në vitin 2018, për veprat penale “Falsifikimi i kartëmonedhave”, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 armë zjarri, 75 fishekë luftarak, një sasi parash, dy automjete dhe 8 aparate celular.
Në bashkëpunim me Prokurorinë po vijon puna për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të kryer nga shtetasi A.S dhe grupi kriminal që ai drejton.
Materialet i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e armëve dhe municioneve luftarake” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Top Channel