Luhet sot në orën 19:00 sfida mes Karabakut dhe Partizanit, e vlefshme për raundin e parë kualifikues të Ligës së kampioneve. Skuadra kryeqytetase vjen në këtë përballje pas barazimit 0-0 në sfidën e parë të luajtur në Tiranë javën e kaluar dhe luan për dy rezultate ndaj skuadrës azere pasi mund të kualifikohet edhe me rezultatin 1-1. Ditën e martë, Të Kuqtë udhëtuan drejt Bakut për këtë ndeshje, duke kryer seancën e fundit stërvitore në Dalga Arena.

Trajneri i Të Kuqve, Franco Lerda në konferencën për shtyp të zhvilluar në prag të kësaj ndeshjeje deklaroi se skuadra e tij nuk ka ardhur për turizëm në Baku, por për të tentuar kalimin për më tej. Tekniku italian shtoi se në këtë ndeshje të dytë me Karabakun, futbollistit e tij do të kërkojnë të bëjnë lojën e tyre më të mirë të mundshme.

Sfida mes Karabakut dhe Partizanit do të gjykohet nga arbitra moldavë, ku gjyqtar kryesor do të jetë Dumitri Muntean që do të ndihmohet nga asistentët e tij Vlad Lifciu dhe Andre Bodean, ndërsa arbitër i katërt do të jetë Alexander Tean

Kjo përballje do të luhet në Dalga Arena të Bakut i cili është përuruar në 6 qershor të vitit 2011 dhe ka një kapacitet me 6500 vende. Ky stadium në 2012 priti ndeshje të Botërorit të Femrave të U17 që në atë vit u organizua pikërisht nga Azerbajxhani. Po kështu në këtë stadium Azerbajxhani ka luajtur një miqësore me Maqedoninë dhe atë të kualifikueseve të Euro 2012 ndaj Austrisë.

Top Channel