Fiks Fare denoncoi veprimet e disa institucioneve shtetërore, të cilat kanë mbyllur sytë dhe veshët para falsifikimeve dhe mbivendosjeve për truallin e ish-kinema Lushnjës.

Madje, për këtë çështje ka pasur disa hetime, por për zvarritje të pajustifikueshme, çështja është pushuar. Në këto hetime është provuar falsifikimi, por këto dokumente ndodhen sërish në institucionet shtetërore. Investigimi i Fiks Fare nisi në vitin 2018. Ish-kinema Lushnja ishte shndërruar në kazino.

Një nga ish-pronarët e truallit të ish-kinema Lushnja, endet prej 26 vitesh në dyert e institucioneve shtetërore dhe pronën nuk e gëzon.
Fiks Fare siguroi disa dokumente ku rezulton se personi që ka privatizuar truallin e ish-kinema Lushnjës, ka falsifikuar dokumentet.

Sefedin Shefa thotë se prona ka qenë e familjes së tij: “Në vitin 1958, pronën e merr shteti në përdorim. Në vitin 1993, Bashkia e Lushnjës e nxjerr në ankand dhe ia shet të punësuarit Ferit Tabaku, duke mos u bazuar në ligjin për kthimin e pronave, të cilëve iu lind e drejta e parablerjes. Të drejtën e kishte familja ime. Nuk na u dha neve e drejta.Iu drejtova gjykatës dhe gjykata mori vendim që t’i prishë kontratën e shitjes së truallit “.
Sipas tij, që nga ai moment e deri më sot, kinemaja dhe trualli nën të është pa kontratë shitblerje.

Këtë vendim gjykate hipoteka e Lushnjës nuk e regjistroi asnjëherë. “ Në këto 26 vite, jo vetëm pronën nuk e ka familja ime, por endemi rrugëve nëpër gjykata dhe s’kemi zgjidhur asnjë gjë. Pronën e përdor ai person që e ka blerë në kundërshtim me ligjin” vijon ai.

I vetmi institucion që nxori falsifikimet ishte Prokuroria e Lushnjes, e cila provoi se dokumentet janë të falsifikuara. Hipoteka gjatë kësaj kohe refuzoi t’ia regjistronte pronën edhe palës tjetër me justifikimin se prona ishte fituar në kundërshtim me ligjin, por familja Tabaku në këtë kohe siguron një vendim gjykate e cila urdhëron hipotekën të bëjë regjistrimin e pronës

Zoti Shefa pohon se nga aktet e ekspertimit rezultoi se ka mbivendosje prona me pallatin, madje 210 metra. “Drejtori i Agjencisë së Provatizimit, Faslli Turku, kur është marrë në pyetje, ka pranuar se ka falsifikuar dokumentet. E ka nxjerrë dhe prokuroria që të gjitha dokumentet janë të falsifikuara. Përgjigje s’po na jep njeri” përfundon z.Shefa.

Dokumenti i falsifikuar, aktualisht në Kadastër,askush nuk e asgjësoi

Pas ankesës, gazetarët e Fiks Fare shkuan në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës së Lushnjës për të marrë një informacion për pronën e z.Nuredin Shefa. Drejtori Shkëlqim Mebelli pohoi se e gjitha praktika e kësaj dosjeje ndodhet në zyrën e Kadastrës, madje edhe dokumenti që është deklaruar i falsifikuar nga Prokuroria e Lushnjes. “Dokumenti me numër 04 587, kontrata e shitblerjes, ndodhet në arkivin e drejtorisë Vendore ASHK Lushnjë.

Përsa i përket pyetjes “a është asgjësuar kontrata e shitblerjes”, ju sqarojmë se në referencat përkatëse të përmendur më lartë nuk ekziston dokument nga Prokuroria Lushnjë, të viteve 2010-2016, që vërteton falsitetin. Për pasojë, Në Drejtorinë e ASHK-së nuk është asgjësuar Kontrata e Shitblerjes” thotë Kadastra.

Fiksi u interesua edhe në Prokurori, nëse ky dokument është asgjësuar apo jo. Në përgjigjen e prokurorisë, sqarohet vetëm se vendimet e pushimit të hetimeve për këtë vepër penale të falsifikimit të dokumenteve, janë lënë në fuqi nga gjykatat. Pyetjes së Fiks Fare se përse një dokument fals , i vërtetuar prej prokurorisë, nuk është asgjësuar por qëndron në dosjen e regjistrimit të pronës në Kadastër, prokuroria i përgjigjet vetëm me një fjali: “Përgjigjet e pyetjeve i gjeni në vendimet e gjykatave dhe aktet e dosjes”.

Pra, askush nuk asgjësoi dokumentin fals, edhe pse tre prokurorë konfirmuan falsifikimin

Falsifikimi dhe zvarritja e hetimeve

Hetimet e prokurorisë për pallatin 10 katësh në qendër të Lushnjës, ku ka qenë ish- Kinemaja e këtij qyteti, kanë filluar që në vitin 2010. Kanë qenë 3 prokurorë të Prokurorisë së Lushnjës, të cilët kanë hetuar këto falsifikime. Fillimisht, çështja është hetuar nga prokurori Arben Dyla, i cili e mori dosjen ne vitin 2010 dhe e ka mbajtur për gati dy vjet çështjen nën hetim. Fiks Fare siguroi një dokument, që bën fjalë për largimin e tij nga kjo çështje për arsye te zvarritjes se pajustifikueshme te hetimeve.

Fiks Fare kontaktoi me zotin Dyla, i cili sot mban postin e drejtuesit të prokurorisë së Lushnjës. “Unë me sa mbaj mend, gjatë kësaj kohe kam pasur goxha ngarkesë me dosje të tjera, pothuajse mbuloja si Task Forcë, po gjithsesi ai që do ta kontrolloj, ta shohë dosjen në veprimet që ka kryer prokurori Arben Dyla, sa kohë ka qenë nën hetim kjo dosje dhe çfarë veprimesh të tjera janë kryer” thotë ai.

Prokurori nuk pranoi të japë shpjegime për zvarritjen e hetimeve për falsifikimin e dokumentave për ish kinemanë e Lushnjës.

“Nuk është çështja ime, për aq kohë sa nuk kam vendimmarrje unë. Për aq kohë sa nuk është vendimi im, nuk e di si e ka argumentuar kolegu im edhe nuk e di se ça ka thënë në vendim, as e kam lexuar vendimin ” tha ai.

Çështja më pas është hetuar nga prokurori Indrit Bimi, i cili doli me një vendimmarrje, ku është provuar falsifikimi. Por siaps tij çështja ishte parashkruar dhe hetimi u pushua. Ajo që të bën përshtypje është fakti që në vendimin e pushimit, prokurori ka faktuar se ka falsifikime dokumentesh.
Pas vendimit të pushimit, Prokuroria e Përgjithshme, urdhëron të rihetohet cështja, por tashmë kishin kalaur të gjitha afatet ligjore për hetimin e falsifikimit.Prokurorja e tretë e kësaj dosjeje, zonja Rovena Zoto ka vendosur sërish pushimin e procedimit penal.

Në dosjen hetimore ka pasur akte ekspertimi ku sërish, ku është provuar se trualli i pallatit 10 katësh, i ish-kinema Lushnjës, është falsifikuar.

AKPP-ja: Vendimi i gjykatës për familjen Shefa, nul!

Pas interesimit në institucionet shtetërore, Fiks Fare kontaktoi edhe me z.Ferit Tabaku, i cili nuk pranoi të japë intervistë. Ai depozitoi në redaksinë e emisionit Investigativ disa dokumente. Sipas tij, korrigjimi me shkrim dore është vetëm një lapsus i ish-zyrtarit të atëhershëm.
Zoti Tabaku pretendon se, megjithëse familja Shefa ka një vendim gjykate të vitit 1993, në vitin 2008 gjykatat kanë rrëzuar këtë familje. Sipas tij, në vitin 2006, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ka rrëzuar vendimin e gjykatës të vitit 1993 të familjes Shefa, madje e konsideron vendimin e Gjykatës nul!

Për falsifikimin e dokumenteve, zoti Tabaku tha se “nuk di gjë”, ndërsa saktësoi se trualli është regjistruar me një vendim gjykatë të vitit 2005, pasi Hipoteka nuk ia regjistronte se “kishte mungesë dokumentacioni”.

Pas një kalvari 26 vjeçar, vetëm pas investigimit në kohë nga “Fiks Fare”, gjykata e Lushnjës hapi shqyrtimin gjyqësor për këtë pronë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA