Prezantohet projekt-ideja e Kampusit të ri Universitar të Arteve, Veliaj: Premtim i mbajtur për studentët

17/07/2019 19:39

Universiteti i Arteve do të kthehet jo vetëm në një hapësirë të denjë akademike, por edhe në një pol kulturor të rëndësishëm, që nxit kreativitetin dhe gjeneron kulturë.

Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Kulturës prezantuan sot projekt-idenë për Kampusin e ri Universitar të Universitetit të Arteve, një tjetër premtim i mbajtur ky ndaj studentëve në kuadër të Paktit për Univeristetin.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se ky projekt është treguesi më i qartë se e gjithë kjo punë nuk është çështje fushate elektorale, por një pasion për të punuar për Tiranën. “Mund të ketë njerëz që thonë, ore këta me çfarë merren në pikë të vapës, zgjedhjet kanë mbaruar, a nuk duhet të mbaronte edhe gjithë kjo gjë politike?

Por, besoj që është dëshmi e qartë që nuk është punë fushate, nuk është punë yryçi i atyre 30 ditëve ku duhet impresionuar mileti me projekte dhe makete. Bëhet fjalë për një pasion që e ndajmë të gjithë bashkë, që quhet qyteti i Tiranës. Unë e ndaj edhe për shkak të detyrës, por besoj që të gjithë ne që e kemi lidhur jetën me këtë qytet, kemi hedhur rrënjë në këtë qytet, e shohim të ardhmen në këtë qytet”, tha Veliaj.

Ai shprehu besimin se siç ka treguar koha, ndonëse në fillim ka pasur skeptikë dhe debate, produkti final ka dalë fantastik. “T’i përveshim mëngët, t’i futemi procesit të gjetjes së fondeve, është momenti ideal ku bashkia e re konstituohet, do të thotë që fillojmë buxhetojmë, është edhe mesi vitit ku edhe qeveria e shikon se sa janë shpenzuar deri në mes vitit dhe çfarë mund të rialokoj për projekte të tilla fantastike dhe jam i bindur që si stadiumi, që nuk kaloi pa një sherr, pa debat, pa diskutim, pa ndezur disa gjakra, pa kaluar të gjithë sitën e lëvizjeve “mos e prek”, doli një produkt më i mirë, jam i bindur që mbas debateve edhe ky i sotmi nisi si ide, por do të përfundojë si produkt fantastik”, nënvizoi Veliaj.

Kryebashkiaku deklaroi se edhe pse nga ky universitet kanë dalë shumë talente që na nderojnë kudo në botë, infrastruktura lë për të dëshiruar. Ndaj, theksoi Veliaj, edhe projekti i ri nuk është një listë dëshirash, por një plan konkret për t’u implementuar. “Kush ka punuar ose kush si puna ime i ka rënë rruga ose mundësia për të hyrë e kupton që përtej fasadës edhe produktit më të shkëlqyer “made in Albania” që ka dalë nga këto dyer, në fakt lë shumë për të dëshiruar gjendja e ambienteve fizike. Këtu bëhet fjalë për të trajtuar fizikisht shtesën e ambienteve. Nuk është një listë dëshirash, por është në plan për t’u implementuar; ka të bëjë me shtesën që do t’i bëjmë kampusit ose asaj që është godina kryesore e Akademisë së Arteve”, tha ai.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se deri më tani janë shpërndarë mbi 20 mijë karta studenti dhe janë mbi 100 biznese që i janë bashkuar kësaj nisme. Veliaj tha se menjëherë pas përfundimit të tre godinave të fundit në për t’u rikonstruksuar në Qytetin Studenti, puna do të fillojë për Kampusin e Ri Universitar për Universitetin e Tiranës. “Çdo gjë është e bukur në kohën e vet, ka një kohë për të qeshur, ka një kohë për të debatuar dhe një kohë për të punuar. Ka një kohë për ditë, ka një kohë për protestë, ka një kohë për të bërë punën e atyre gjërave për të cilat u angazhuam. Jam i lumtur që mbi 20 mijë studentë kanë marrë Kartën e Studentit dhe mbi 100 biznese janë pjesë. Me t’u kthyer në shtator nga pushimet, edhe pjesa tjetër e studentëve do të pajiset me Kartën e Studentit, ndërkohë që ndihem mirë për faktin që na kanë ngelur edhe 3 konvikte në Qytetin Studenti. Me të mbaruar ato të treja ne do të jemi gati për të filluar atje Kampusin e ri universitar”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku nënvizoi se Tirana është qyteti ku shumë të rinj kanë vendosur që të ndërtojnë të ardhmen e tyre, ndaj edhe vëmendja e të gjithëve është fokusuar që ky qytet të ecë përpara çdo ditë. “9 nga 10 studente kanë vendosur që do të jetojnë në Tiranë. Në fakt personi i 10-ë është thjesht duke e menduar, por nuk do të thotë që do të kthehet pas. Kështu që, për sa kohë që kemi lidh fatin me këtë qytet, unë besoj te ajo që quhet fushata vazhdueshme, pra një fushatë e përditshme, që s’ka të bëjë fare me fushatën e zgjedhjeve, por ka të bëjë me fushatën apo me ngutin, apo me zellin tonë, që ky qytet të eci përpara çdo ditë”, u shpreh Veliaj teksa deklaroi se ky është një tjetër premtim i mbajtur.

Projekti i ri evidenton vlerat më të mira arkitekturore dhe historike. Universiteti i arteve është një prej tre objekteve të projektuara nga Bosio në sheshin “Nënë Tereza”. Ngritja e Kampusit të ri do të ofrojë ambiente të reja studimi: laboratorë krijues, Opera Studio, jo vetëm një sallë historike shfaqjesh të rikonstruktuar, por edhe salla të reja, që do t’i shërbejnë jo vetëm procesit studimor, por do të shtojnë hapësirat performuese për të gjithë artistët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA