Kryeopozitari Lulzim Basha ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Durrësit për të mos njohur zgjedhjet lokale të 30 qershorit në këtë bashki. Basha thotë se vendimi sjell shpresë dhe 30 qershorin e konsideron masakër të Kushtetutës.

  Gjykata rrëzon Durrësin/ Nuk i jep mandatin Valbona Sakos: Fletët e votimit nga KQZ, të pavlefshme

“Farsa e 30 qershorit ishte masakër e Kushtetutës, e ligjit dhe e standardeve. Dua të përshëndes vendimin e Gjykatës së Durrësit, i cili sjell shpresë se në këtë vend ka gjyqtarë e gjyqtare që e kanë të shenjtë Kushtetutën dhe ligjin, se ka shërbyes civilë me kurajo dhe ndërgjegje që i shërbejnë shtetit të së drejtës dhe jo shtetit partiak”, thotë Basha.

Kreu i PD-së paralajmëron se të gjithë ata që u bënë pjesë e “grushtit kriminal institucional”, do të përgjigjen përpara drejtësisë.

“Farsa e 30 qershorit është një grusht kriminal institucional i Edi Ramës, përmes të cilit ai uzurpoi pushtetin vendor, por edhe KQZ-në dhe gjithë sistemin e administrimit të zgjedhjeve përfshi kolegjin zgjedhor. Të gjithë ata që u bënë pjesë e këtij grushti kriminal institucional, të gjithë ata që i shërbyen Edi Ramës për të dhunuar Kushtetutën dhe ligjin me 30 qershor, do të përgjigjen para drejtësisë për veprimet e tyre kriminale”, shprehet Basha.

Gjykata e Durrësit nuk i dha sot mandatin e kryebashkiakes Valbona Sakos, kandidates që u shpall fituese më 30 qershor, përballë kandidates së Bindjes Demorkatike, Valbona Sakollari. Sipas vendimit të Gjykatës, BD është regjistruar jashtë afatit zyrtar dhe për këtë arsye zgjedhjet lokale janë nul.

Top Channel