Presidenti francez Emanuel Macron premtoi se do të ndihmojë në rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës gjatë vizitës së tij në Beograd. Pas takimit me homologun e tij Aleksandër Vuçiç, Macron tha se ai do të ftonte delegacionet nga të dyja vendet në Paris, bashkë me kancelaren Angela Merkel.
“Lufta që ne do të bëjmë së bashku tani është ajo për kompromis dhe gjetjen e një zgjidhjeje të zgjuar mes Serbisë dhe Kosovës. Është një luftë e vështirë dhe ju keni një president kurajoz që ka vendosur t’i shkojë deri në fund asaj. Ashtu edhe kosovarët duhet të jenë kurajozë në ndërtimin e kompromiseve “, tha Macron.
Marrëdhëniet e Beogradit me Kosovën janë përshkallëzuar që nga vendosja e taksës 100 për qind mbi produktet serbe, pasi Beogradi bllokoi përpjekjen e Prishtinës për anëtarësim në Interpol. “Ne,- tha Macron,- shohim tensione në rritje dhe ndonjëherë ato tensione fryhen edhe nga fuqi të huaja që kanë interes që të mos arrihet asnjë marrëveshje”
. Por arritja e kësaj të fundit, kërkon punë dhe secila palë duhet të përmbahet nga veprimet e njëanshme dhe jo konstruktive. Vuçiç ndërkohë i kërkoi Macron të ndihmonte Serbinë të anëtarësohej në BE, por Presidenti francez nuk bëri asnjë premtim.
“Ju thatë se Serbia ishte në zemrën tuaj. Unë ju lus, si zotin! Nxitoni me ato reforma kyçe, ndihmoni Serbinë dhe popullin tonë! Qytetarët e Serbisë do ta mbajnë mend këtë, do ta kujtojnë gjithnjë”, i tha Vuçiç.
Sipas tij, vendim marrja e BE-së duhet të bëhet më efikase para se vende të tjera të anëtarësohen në bllok. Po ashtu njohja e Kosovës është një parakusht për anëtarësimin e Serbisë. Macron është i pari President francez që viziton Serbinë që nga 2001. Në shenjë bashkëpunimi në rritje, Serbia ka pranuar të blejë sistemin raketor francez mistral. Gjatë vizitës së të hënës të dyja palët nënshkruan një memorandum për ndërtimin e një metroje në Beograd.
Top Channel