Produkti më i famshëm nga speci i kuq në Ballkan, është ajvari. Në pjesë të ndryshme të rajonit, për breza me radhë ai ka qenë i pandashëm nga tryeza sidomos në dimër. Në Leskovac, në jug të Serbisë, ajvari i prodhuar nga vendasit është i famshëm për shijen e tij.
“I pjekim, i presim e i gatuajmë; i shtojmë kripe, vaj dhe uthull, e ky është varianti i shkurtër”, tha Stevica Markovic, prodhues ajvari, Leskovac.
Një variant i shkurtër, por që në fakt e ndihmon familjen Markovic të shesë deri në 3.000 kavanozë ajvar në vit. Recetat familjare janë një çështje krenarie kur vjen fjala tek ky produkt, por nëpër ish-jugosllavi, nuk përdorin saktësisht të njëjtët përbërës. Në këtë punishte të vogël boshnjake, linjës së prodhimit të ajvarit, i shtohen edhe hudhra e patëllxhanë.
“Ajvari ka qenë fillimisht produkt serb; andej e ka origjinën dhe ne këtë nuk e mohojmë. Por ajvari që bëjmë ne sot, është më i miri”, tha Ivo Lukenda, prodhues ajvari, Bosnje.
Në fakt, origjinën e ajvarit e pretendojnë disa shtete ballkanike, ndonëse fillesat e tij nuk janë plotësisht të qarta. Për herë të parë, ky emër është përdorur në shekullin e 19-të, nëpër restorantet e Beogradit, por disa thonë se shtëpia e vërtetë e këtij produkti mjaft të shijshëm, është Maqedonia. Për çdo rast prodhuesit e tij sot shpresojnë shumë që ky emër i njohur në Ballkan, t’i kapërcejë kufijtë e rajonit e të bëhet po kaq i dashur edhe në vende të tjera.
Top Channel