Zaev: Jo zgjedhje të parakohshme . Kryeministri i përgjigjet opozitës: Prioritet kam zhvillimin ekonomik

15/07/2019 21:53

Zoran Zaev e refuzoi kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke theksuar se për momentin prioritet ka zhvillimi ekonomik të vendit, e zgjedhjet e parakohshme, sipas tij, nuk do te ndihmonin shumë në këtë drejtim.

“Mbetem në qëndrimin se duhet të shkojmë në zgjedhje të rregullta. E pamë se ku e çojnë kombin zgjedhjet e shpejta parlamentare për shkak të konsultimeve politike. Nëse do të ishim për zgjedhje të parakohshme, ato do t’i shpallnim së bashku me zgjedhjet presidenciale. Zgjedhje të rregullta do të ketë në dhjetor të vitit 2020, por për mua nuk ka problem që ato të mbahen edhe në tetor”, deklaroi Kryeministri maqedonas.

Zaev e ftoi kreun e opozitës Hristijan Mickovski në bisedime, në një takim boshtin e të cilit do ta përbënin tre tema: ligji zgjedhor, prokuroria speciale dhe regjistrimi i popullsisë. Ftesa të ngjashme iu drejtuan edhe kryetarit te Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, dhe atij të Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela.

Partia kryesore opozitare, VMRO DPMNE-ja këmbëngul për zgjedhje të parakohshme për shkak te skandaleve të shumta që kanë pllakosur sipas saj qeverinë, aferat korruptive të zyrtarëve të saj, varfërisë në rritje, por edhe faktit që nuk u arrit të merrej një datë për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA