Nga “Kopshti më i ri në botë” në Kodër Kamëz, tek rrugët, uji e kanalizimet të Bregu i Lumit, ndryshime në periferi të Tiranës

15/07/2019 11:08

Njësia 11, e cila administrohet nga Bashkia e Tiranës, është kthyer tashmë në një kantier pune. Shkolla të rregulluara, kopshte dhe çerdhe që janë në prag të përfundimit në Kodër Kamëz, rrugët dhe rrjeti i ujësjellësit tek Bregu i Lumit që është thuajse në përfundim, sinjalistikë moderne tek kryqëzimi i “3”-shit (shinat) etj., janë disa prej dhjetra kantiereve të punës që janë hapur në këtë këtë njësi.

Kryebashkiaku Veliaj ka premtuar gjatë fushatës së tij elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit se zonat në periferi të Tiranës do jenë në fokus të punës së tij gjatë katër viteve të ardhshme. Dhe ky premtim ka filluar që tani që të vihet në jetë.

“Kopshti më i ri në botë” në Kodër Kamëz

Kristina Karaj është një vajzë e vogël në Kodër Kamëz, e cila thuajse çdo ditë shkon te kopshti që po ndërtohet pranë shtëpisë ku ajo banon. Ajo shkon për të parë nëse xhaxhat që punojnë aty po e mbarojnë kopshtin ku ajo ëndërron të shkojë. E shoqëruar nga gjyshja e saj Xhevrija, Kristina përpiqet mesa mundet që të ndihmojë punëtorët që ata ta mbarojnë punën sa më shpejt. “E kemi kontrolloren më të rreptë”, komenton duke qeshur Idajeti, një punëtor i cili merret me meremetimet e brendëshme të kopshtit dhe çerdhes që po ndërtohet në Kodër Kamëz, pjesë e njësisë 11. “Mezi po pres që të mbaroj kopshti. E dua me ngjyrë rozë, karrige të buta dhe mure me vizatime. E dua si kopshtet që shoh në televizor’, shprehet Kristina. Ndërsa gjyshe Xhevrija thekson se Bashkiaa ka bërë shumë mirë që po ndërton një kopsht të ri për fëmijët e Kodër Kamzës, që edhe ata të rriten njësoj si bashkëmoshatarët e tyre në Tiranë.

“Kopshti që ka qenë më parë ka qenë në kushte skandaloze. Pa ngrohje, hapësira të vogla. Fëmijet më shumë torturoheshin. Kopshti I ri është gëzim jo vetëm për fëmijët, por edhe për vetë prindërit, sidomos për çiftet e reja, të cilët duhet të shkojnë edhe në punë”, nënvizon gjyshe Xhevrija. Punëtorët e objektit na informojnë se brenda 1 muaji kopshti dhe çerdhja në Kodër Kamëz do të përfundojë dhe pas 1 muaji Kristina nuk do të shkojë më për të parë se si po ecin punimet, por si banore e kopshtit, i cili do të jetë ashtu siç ajo e ëndërron.

Bregu i Lumit nis të dalë nga braktisja gjysëm shekullore

Gjithkujt mund t’i duket habi, por lagjija te Bregu i Lumit pjesë e njësisë 11 në varësi të Bashkisë së Tiranës, ka rreth 49 vite e zhytur në harresë dhe ku nuk është vënë dorë në asnjë drejtim. E krijuar rreth viteve 1970, ajo lagje ka qenë thuajse e privuar nga të gjitha investimet qoftë në infrastrukturë, ujë kanalizime, ndriçim etj. “Vetëm përmbytja ka qernë bashkëudhëtarja jonë në këto 49 vite”, shprehet Ndriçim Kasa, banor i vjetër i Bregut të Lumit.

Por tani kjo zonë është kthyer në një kantier pune. është drejt përfundimit rruga me dy korsi dhe shumë shpejt pritet që të asfaltohet dhe të ndriçohet. Ndërsa shtrimi me çakëll brenda lagjes ka përfundur dhe pritet që edhe atytë nisë asfaltimi. Paralelisht me punimet në rrugë është shtruar edhe rrjeti i ujësjellsit dhe tani në çdo shtëpi shkon uji. “Dihet që rruga është zhvillim. Me përfundimin e punimeve besoj se edhe periferia jonë te Bregu i Lumit të zhvillohet e të forcohet edhe pak ekonomikisht. Do donim që bashkia gjithnjë e më shumë të jetë e vëmendshme ndaj zonave periferike me qëllim që edhe ato gradualisht të fillojnë të inytegrohen dhe të jenë pjesë natyrale e kryeqytetit”, thekson Kasa.

Kryqëzimi te “3”-shi (shinat)

“Kërthiza” e aksidenteve. Ky është epiteti që i kanë venë gjerësisht banorët e kësaj zone, një prej pikave më problematike në dalje të Tiranës, tek shkon drejt Kodër Kamzës, që në zhargon njihet te “3”-shi (shinat). Por tani aty pamja thuajse ka ndryshuar tërësisht. Bashkia e Tiranës jo vetëm ka shtruar dhe rregulluar rrugën në atë zonë, por po vendos edhe sinjalistikë moderne, duke e kthyer kryqëzimin te “3”-shi (shinat), jo vetëm një zonë më të sigurtë për makinat dhe kalimtarët, por të njëjtë me të gjithë sinjalistikën moderne të instaluar në kryeqytet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA