Presidenti i Francës, Emmanuel Macron nis sot vizitën në Beograd, me në fokus raportet bilaterale, por edhe Kosovën.
Vizita e parë zyrtare e një kreu të shtetit francez, në Beograd, pas 18 vitesh, e vendos Macronin në një pozitë delikate.
Raportet mes Francës dhe Serbisë janë të ngarkuara shumë në 25 vitet e fundit, në veçanti pas bombardimeve të vitit 1999 dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008.
“Franca dhe Serbia do të jenë gjithmonë vende mike, sepse në të gjitha luftërat e mëparshme ato kanë mbajtur anën e njëjtë”, pohoi për DW, një prej bashkëbiseduesve franceze, sipas të cilëve Franca dhe Serbia nuk mund të jenë armiq, pavarësisht disa mos marrëveshjeve të fundit.
Një marrëdhënie e tillë megjithatë nuk e pengon Macronin të vazhdojë ti kundërvihet zgjerimit të Bashkimit Europian, edhe kur flitet për Serbinë.
Për çdo rast, në Beograd ka shpresa të mëdha nga kjo vizitë, gjatë së cilës dy Presidentët do të nënshkruajnë rreth 20 marrëveshje bashkëpunimi, në fushën e ekonomisë.
Pesë prej tyre do të jenë në fushën e armatimit. Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçic, sqaroi se shpreson që Presidenti Francez, do të ndërpresë lojën me “taksën” e ka vendosur nga Prishtina, ndaj mallrave serbe, e do të japë garanci “se ajo do të përfundojë”.
“Askush nuk mund të më bindë se Europa Perëndimore, në të cilën Franca është një nga udhëheqëset, dhe Shtetet e Bashkuara, nuk mund ta detyrojnë Ramush Haradinajn, për tetë muaj, të heqë një vendim të turpshëm administrativ”, tha Daçic.
Top Channel