Komentet online të përfituesve të një shërbimi po fitojnë rëndësi gjithmonë e më të madhe në ditët tona, por bashkë me to, rritje janë duke shënuar njëkohësisht edhe përpjekjet për të mashtruar sistemin.
Problemi ka pllakosur më së shumti Amazon, Google dhe Tripadvisor, pavarësisht sistemeve të tyre të rrepta të verifikimit. Një shkrim i Washington Post tregoi se blerja e komenteve të rreme sidomos nga tregtarët që shpresojnë të shtojnë shitjet e veta apo ata që ofrojnë shërbime, po kthehet në një problem mjaft të përhapur në Amazon.
Sipas gazetës prestigjoze, mjaft prej komenteve të rreme, origjinën e kanë tek facebooku, duke u shndërruar për gjigandin e rrjeteve sociale në një telash të ngjashëm me atë të “fake news”. Është vërtetuar tashmë se konsumatorët mbështeten shumë tek komentet online kur duan të marrin vendime për blerje. Sa më pak komente kritike të ketë, aq më i besueshëm bëhet produkti në sytë e tyre.
Amazon dhe Google kanë bërë përpjekje të mëdha në nivel korporate për ta frenuar këtë fenomen, përfshirë paralajmërimin në profilet e bizneseve kur është diktuar shkelje e udhëzimeve për lënien atyre që njihen si “reviews”.
Megjithatë, ekspertët thonë se pa një ndërhyrje të fortë e cila të përfshijë procese gjyqësore apo gjoba të renda, problemi do të vazhdojë të intensifikohet.
Top Channel