Amerika po ndërton një tjetër mur të madh; vetëm se këtë herë është për të mbrojtur një pjesë të Nju Jorkut. Deri në 2025-tën, Staten Island do të forcohet me një lloj strukture që do të shtrihet 5,3 milje përgjatë bregdetit, e konceptuar të zbrapsë një kërcënim në rritje, thotë CNN.
Ndryshimet klimatike parashikohet të krijojnë një sistem metereologjik më të fuqishëm dhe ekstrem në mbarë globin, ndaj në mjaft zona bregdetare po mendohet ngritja e strukturave mbrojtëse për të reduktuar ndikimin e tij.
Argjinaturat e para janë ndërtuar përpara disa shekujsh, megjithatë sot mund të jenë ndoshta asetet më të vyera se kurrë ndonjëherë më parë përsa i takon mbrojtjes së njerëzve që jetojnë në zonat e rrezikuara bregdetare.
Një raport i fundit i qendrës për mbrojtjen e klimës vlerësonte se mbrojtja e komuniteteve bregdetare mund t’i kushtojë SHBA-ve më shumë se 400 miliardë dollarë përgjatë 20 viteve të ardhshme.
Argjinaturat nuk janë vetëm të shtrenjta për tu krijuar, por kanë nevojë edhe për mirëmbajtje të rregullt në mënyrë që të përballojnë përplasjen e dallgëve. Në shumë vende sidoqoftë, ato konsiderohen jetike për të mbrojtur tokën dhe pronat që në të kundërt, do të gëlltiteshin nga uji.
Top Channel