Antoine Griezmann është futbollist i Barcelonës. Pasditen e së premtes avokati i sulmuesit francez u paraqit në zyrat e La Ligës për të depozituar pagesën e klauzolës së kontratës së Griezmann prej 120 milionë Euro.

Pak çaste pas kryerjes së pagesës, Barcelona bëri edhe njoftimin zyrtar për transferimin e Griezmannit, i cili pas kryerjes së vizitave mjekësore do të firmosë edhe kontratën e tij deri në vitin 2024, ndërkohë që të dielën do të bëjë prezantimin e tij.

Vetë Griezmann menjëherë pas zyrtarizimit të kalimit të tij ka bërë edhe deklaratën e tij të parë si lojtar i Barcelonës nëpërmjet një videoje të publikuar nga vetë klubi kampion i Spanjës, teksa deklaroi se do të mbrojë ngjyrat e Barcelonës me vendosmëri.

Ndërkaq te Atletico Madrid të gjithë kanë mbetur të pakënaqur për këtë lëvizje me Los Colchoneros që vendosën të nisin një beteje ligjore kundër Barcelonës dhe Griezmannit madje do të bëjnë edhe një denoncim në FIFA.

Në një komunikatë për shtyp klubi madrilen theksoi shifra prej 120 milionë Eurosh për aktivizimin e klauzolës së futbollistit nuk mjafton pasi klubi katalanas dhe futbollisti e arritën akordin mes tyre kur shifra e kësaj klauzole ishte ende 200 milionë Euro.

Presidenti i Atletico Madrid, Cerezo konfirmoi gjithçka në një intervistë për RAC 1 teksa deklaroi se klubi i ka provat e kësaj marrëveshje përderisa doli me atë komunikatë për shtyp.

Ndërkaq sipas ekspertëve të së Drejtës Sportive, kjo çështje pritet të zgjidhet nga Gjykata Sociale, por ajo mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme Spanjolle.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA